Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndimojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar koronavirusin.
Në një video drejtuar diasporës, të postuar në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka njoftuar se qeveria ka hapur një xhirollogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.
Të gjitha mjetet, sipas tij, do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.
“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, ka thënë Kurti.
Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona me koronavirus. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.
Autoritetet tashmë kanë ndërmarrë disa masa për frenimin e përhapjes së sëmundjes, përfshirë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik dhe futjen në karantinë të kryeqytetit – Prishtinës.
Lexoni edhe këtë: