Kuvendi i Kosovës ka pranuar të premten dokumentin e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes së cilit kërkohet mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.
Zyrtarë nga Kuvendi i Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, pranimin e shkresës.
Ndërkohë edhe vetë LDK-ja, ka bërë të ditur se ka dorëzuar mocionin me 46 nënshkrime në këtë institucion.
“Përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë Kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij. Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, ka thënë LDK përmes një postimi në Facebook.
Vendimi për mocion është marrë pasi kryeministri Kurti ka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Brendshëm.
Më herët gjatë së premtës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës , që ta heqë tarifën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit Veliu.
“Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heqë tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, është shprehur Mustafa në një postim në Facebook.
Pas vendimit për nisje të procedurave për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, Mustafa ka zhvilluar takime me liderë të partive opozitare në Kosovë, dhe deri më tani ka fituar përkrahjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosoves, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re për rrëzim të qeverisë.
Këto zhvillime politike në Kosovë zhvillohen në kohën e përhapjes së koronavirusit.
Të enjten mbrëma, qytetarët në Prishtinë kanë protestuar kundër krizës qeveritare, duke bërë zhurmë nga ballkonet e tyre.