Ndërlidhjet

Dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, thotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që u publikua të mërkurën për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2019. Ky raport ka nënvizuar mungesën e ndëshkimit të zyrtarëve të korruptuar në Kosovë.

Aty thuhet se “opozita, shoqëria civile dhe mediat raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion që vazhdonin veprimtarinë dhe mbesin të pandëshkuar”.

Sipas ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, mos-dënimi i zyrtarëve të korruptuar, është bërë pengesa më e madhe e zhvillimit ekonomik, si dhe pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Fakti se pse sot ne nuk kemi zhvillim ekonomik dhe në anën tjetër qytetarët kanë mbetur peng i politikanëve të korruptuar, nënkupton që sistemi i drejtësisë nuk ka vepruar në drejtim të këtyre rasteve dhe ka korrupsion shumë edhe endemik në Republikën e Kosovës”, thotë ministrja Haxhiu.

Ajo thotë se janë duke marrë masa që sistemi i drejtësisë të jetë më efektiv.

“Do të punojmë në shtimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë, sidomos profilizim apo specializim të prokurorëve që merren me rastet e korrupsionit, gjegjësit Prokuroria Speciale. Jemi duke diskutuar, është në fazën fillestare, edhe për një Byro të Hetimeve, që do të jetë komplet e pavarur e që do të merret me rastet më të mëdha të korrupsionit, ku përfshihen zyrtarët e lartë”, thotë Haxhiu.

Në anën tjetër, në raportin e DASH-it thuhet se “qeveria dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorën masa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryenin abuzime, vepra penale dhe krime të së kaluarës, por shumë nga ata vazhduan të ushtronin pozicione në sektorin publik”.

“Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimi i ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë në Kosovë, nuk është në gjendje që t’i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e veta në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Sistemi i drejtësisë në Kosovë, fatkeqësisht, në vend që të ofrojë siguri juridike dhe drejtësi për qytetarët, i njëjti i shkel të drejtat e qytetarëve në mënyrë flagrante”, thotë Miftaraj.

Sipas tij, procesi më i rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë, është procesi i Vettingut.

“Nëse zhvillohet si duhet, do të sigurojë që elementet qoftë kriminale, ose politike të pastrohen njëherë e mirë nga ky sistem. Në anën tjetër, është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë, si Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, të kthejnë pavarësinë e tyre dhe paanshmërinë e tyre”, thotë Miftaraj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor, duhet të kryejnë punën e tyre me përgjegjësi më të lartë.

“Duhet të kemi aktakuza më të forta, duhet të kemi prova bindëse ndaj personave të cilët akuzohen për korrupsion, krim të organizuar dhe për të gjitha veprat tjera penale. Nuk duhet të kemi prolongim apo zvarritje të procedurave gjyqësore, duhet të kemi gjykim të drejtë e në kohë, që është e drejtë kruciale që është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjeve në Kosovë. Pastaj edhe vendime meritore, të cilat dënojnë krimin dhe korrupsionin në bazë të dispozitave ligjore”, thotë Hoxha.

Sa i përket sektorit të gjyqësorit, Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit thekson se “Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, por gjyqësori jo gjithmonë siguroi një proces të duhur”.

Sipas këtij raporti, qeveria nuk ka arritur të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG