Ndërlidhjet

Ujgurët "detyrohen të punojnë" për markat e huaja


Pjesëtarë të komunitetit ujgur në Ksinjiang të Kinës.
Pjesëtarë të komunitetit ujgur në Ksinjiang të Kinës.

Mijëra myslimanë të komunitetit ujgur të Kinës janë duke punuar në kushte të rënda në fabrikat që furnizojnë disa nga markat më të mëdha në botë, thuhet në raportin e Institutit Australian për Politika Strategjike.

Kina ka ndaluar tashmë rreth një milion ujgurë në kampe internimi, duke i ndëshkuar dhe indoktrinuar ata.

Por, zyrtarët kinezë thonë se kampet kanë për qëllim luftimin e ekstremizmit.

Raporti i ri vjen pasi një zyrtar i lartë kinez ka thënë në muajin dhjetor se disa ujgurë që mbaheshin në kampe, tani kanë "diplomuar".

Raporti i Institutit Australian për Politika Strategjike vlerëson se në periudhën 2017-2019, mbi 80,000 ujgurë janë marrë nga rajoni Ksinjiang dhe janë dërguar për të punuar nëpër fabrika në gjithë Kinën.

Thuhet se disa prej tyre janë nxjerrë direkt nga kampet e paraburgimit.

Sipas raportit, "është jashtëzakonisht e vështirë" për ujgurët të refuzojnë ose të ikin nga puna, pasi ata kërcënohen me "arrestime arbitrare".

Po sipas raportit, fabrikat ku punojnë ujgurët, pretendojnë se janë pjesë e zinxhirit të furnizimit për 83 marka të njohura globale, përfshirë: Nike, Apple dhe Dell.

Instituti Australian për Politika Strategjike tha se ka identifikuar 27 fabrika në nëntë provinca kineze që kanë shfrytëzuar ujgurë që nga viti 2017.

Në fabrika, ujgurët detyrohen të jetojnë në konvikte të ndara dhe të zhvillojnë mësime në gjuhën mandarine, ndërsa i nënshtrohen mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe e kanë të ndaluar t'i respektojnë praktikat fetare, thuhet në raport.

Raporti po ashtu thotë se kompanitë e huaja dhe ato kineze janë të përfshira "ndoshta pa dijeninë e tyre" në abuzimet me të drejtat e njeriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG