Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale për Kosovën i dorëzon gjykatësit aktakuzat e para


Gjykata Speciae për Kosovën, me seli në Hagë.
Gjykata Speciae për Kosovën, me seli në Hagë.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Angela Griep, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kryetarja e Dhomave (Ekaterina Trendafilova) "ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e Prokurorit Special".

"Përmbajtja është konfidenciale. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën", tha Griep.

Më herët, Prokurori i Specializuar ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se e ka ndërmend të fillojë procedime penale para Dhomave të Specializuara dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë përgjegjëse për hetimin e krimeve që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se kryetarja e Dhomave të Specializuara ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake "për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar".

"Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe derisa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake", thuhet në komunikatë.

Çfarë janë procedimet paraprake?

Procedimet paraprake nisin kur Prokurori i Specializuar e çon aktakuzën për shqyrtim te gjykatësi i procedurës paraprake.

Aktakuza konfirmohet vetëm nëse mbështetet në prova të mjaftueshme.

Në rast se aktakuza konfirmohet, i akuzuari paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet rreth fajësisë.

Nëse i akuzuari thotë se nuk është fajtor, atëherë pasojnë fazat tjera të procedurës paraprake.

Nëse e pranon fajin, caktohet shqiptimi i dënimit.

Nëse aktakuza nuk konfirmojet, atëherë lënda hidhet poshtë.

Gjykata Speciale - me emrin Dhomat e Specializuara - funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

Deri më tash nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Më shumë në këtë temë:

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG