Ndërlidhjet

Gratë e kthyera nga Siria pranojnë fajësinë për t’iu ikur dënimeve më të rënda


Foto nga arkivi - Gjykata Themelore në Prishtinë
Foto nga arkivi - Gjykata Themelore në Prishtinë

Një nënë, bashkë me dy vajzat e saj nga Suhareka, janë dënuar me nga dy vjet burgim me kusht, secila, të premten nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ato akuzoheshin për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist. Të tri gratë janë kthyer në prill të vitit të kaluar nga Siria, së bashku me 29 gra tjera dhe 74 fëmijë.

Shyhrete Tafaj, bashkë me dy vajzat e saj Meke Tafaj dhe Valdete Tafaj-Daçaj, kanë pranuar fajësinë para gjykatës.

Të premten ato nuk ishin në seancë, kur gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama, e shpalli vendimin kundër tyre.

“Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit, ka vepruar konform dispozitave për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, për shkak se ka marrë posaçërisht lehtësuese pranimin e fajësisë nga të pandehurat, sjelljen e tyre para dhe pas kryerjes së veprave penale, për faktin se asnjëherë më përpara nuk kanë rënë në kundërshtim me ligjin, gjendjen e tyre dhe pendimin e tyre dhe premtimin që në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra penale,”, ka thënë gjyqtarja gjatë shpalljes së vendimit.

Gratë e kthyera nga Siria, në prill të vitit të kaluar, sipas njërës prej avokateve, kanë qenë të detyruara nga burrat e tyre që t’iu bashkohen në zonat e luftës.

Avokatja Besmira Hoti, e cila ka mbrojtur të akuzuarën Meke Tafaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klientja e saj, bashkë me nënën dhe motrën, akuzohen për organizmin dhe pjesëmarrjen në grupe terroriste.

“Thjesht veprimet e tyre, ishin shërbime ndaj bashkëshortëve të tyre, klientja ime, po flas personalisht për të. Ajo ishte më shumë e detyruar nga bashkëshorti i saj, për arsye se duhej që t’i shërbente dikush dhe thjesht ajo nuk e kishte idenë se ku po shkonte, por kur kishte shkuar atje, nuk kishte mundësi për t’u kthyer dhe kishte vazhduar deri në ndërhyrjen e Kosovës, për t’u kthyer ato”, ka thënë avokatja.

Justina Frrokaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, që monitoron punën e gjykatave, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha gratë po deklarohen se janë penduar për veprat të cilat i kanë i kryer.

“Kryesisht këto gra në seancat fillestare po e pranojnë fajësinë, do të thotë po deklarohen të fajshme për këto vepra penale, por që po deklarojnë se këto vepra i kanë kryer vetëm se janë detyruar nga familjet e tyre, kryesisht nga burrat e tyre, të cilët sipas aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, kanë shkuar në Siri dhe kanë marrë pjesë aktivisht në luftimet e kryera gjatë luftës në Siri”, ka thënë Frrokaj.

Sipas saj, pothuajse të gjitha aktgjykimet e shpallura kundër grave të kthyera nga Siria, përfshijnë dënime me kusht.

Frrokaj ka treguar po ashtu se gratë e akuzuara për vepra që ndërlidhen me terrorizëm, shkojnë në seanca gjyqësore me mbulesa.

“Kryesisht vijnë me shami, por gjyqtarët duhet t’i identifikojnë personat, kështu që i urdhërojnë t’i heqin shamitë vetëm në pjesën e fytyrës, për të bërë identifikimin e tyre”, ka thënë Frrokaj.

Shyhrete Tafaj bashkë me vajzat e saj, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë terroriste, duke shkuar në Siri dhe duke iu bashkuar grupit militant Shteti Islamik.

Rruga e kësaj familjeje për në Siri, kishte nisur në vitin 2014. Fillimisht kishin shkuar dy vajzat, Meke Tafaj dhe Valdete Tafaj-Daçaj, e pastaj edhe nëna e tyre Shyhrete Tafaj, bashkë me dy djemtë e saj.

Njëri nga djemtë është vrarë, kurse tjetri është kthyer në Kosovë dhe ishte i pranishëm në seancë.

Eksperti ndërkombëtar për terrorizimin, Adrian Shtuni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se shumica prej grave që kanë shkuar në Siri, kanë qenë të vetëdijshme për veprimin që kishin ndërmarrë.

“Kthimi në vetvete i fëmijëve ka qenë një veprim mjaft i mirë. Sa u përket grave kam përshtypjen se ka një keqkuptim në mënyrën se si interpretohen vetëm si viktima".

"Gratë nuk janë viktima, disa janë, disa nuk janë, disa ndoshta janë marrë edhe pa vetëdijen e tyre deri diku dhe janë dërguar atje edhe nga bashkëshortët e tyre, por një pjesë e mirë e tyre kanë shkuar edhe pa bashkëshortët. Madje ka raste të tilla që mund të kenë marrë edhe fëmijët pa lejen e bashkëshortit dhe kanë shkuar”, ka thënë Shtuni.

Në total, numri i kosovarëve që shkuan në Siri dhe Irak, llogaritet të jetë rreth 400 duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë. Mbi 100 persona nga Kosova janë vrarë atje.

Më 19 prill të vitit të kaluar, Kosova ka kthyer 110 qytetarë të saj nga Siria duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë të huaj.

*Video: Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG