Më shumë se 16 mijë është numri i raportuar i personave të prekur me grip muajt e fundit në Kosovë, prej të cilëve, një rast ka përfunduar me vdekje.
Këto të dhëna, janë konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
Nga numri i të prekurve, sipas këtij Instituti, rreth 3 mijë janë cilësuar si infeksione respiratore akute kurse 13 raste me infeksion të rëndë respirator akut.
Sali Ahmeti, infektolog, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se gjatë muajit janar dhe më tej, pritet fluks edhe më i madh i të prekurve me gripin sezonal, i cili sipas tij, deri më tani ka qenë grip me influencë “A”.
“Në Klinikën Infektive aktualisht kemi të shtrirë katër persona të konfirmuar me grip, derisa tashmë një person ka humbur jetën si pasojë e gripit. Ndërkaq, gjithsej janë 11 raste të konfirmuara me grip në Kosovë. Ndonëse deri tani ka pasur fluks, fluksi edhe më i madh pritet tash e tutje, pasi që jemi në sezonin që presim të kemi numër më të madh me influencë me gripin 'A'. Ky grip ndonjëherë është kërcënues, sidomos tek personat me sëmundje kronike”, tha Ahmeti.
Pavarësisht numrit në rritje të pacientëve me grip, në Klinikë Infektive, thekson Ahmeti, mungon ilaçi i quajtur Tamiflu, i cili shërben për trajtimin e personave të prekur me virus sezonal.
“Sa u përket barnave jemi të furnizuar, ndonëse nuk kemi “tamiflu”, ilaç për virusin, por kemi zëvendësime tjera të barnave antivirale.
“Përndryshe, në Klinikën Infektive, mund të them se kemi kapacitete si me burime humane, po ashtu edhe me hapësirë edhe në ndonjë rast të shpërthimit epidemik të gripit”, tha Ahmeti.
Ndërkaq Era Pireva, zëdhënëse në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, bëri të ditur se numri më i madh i rasteve me grip është raportuar nga Komuna e Prishtinës dhe Prizrenit. Megjithëkëtë ajo shton se gripi nuk ka kaluar pragun epidemik.
“Instituti Kombëtar apelon te të gjithë drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike, që të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. Inspektorati shëndetësor duhet të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës, për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse”, tha Pireva.
Rastet me grip në Institutin Kombëtar raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, me përjashtim të komunave me popullatë serbe.
Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, çka atë kohë kishte ndikuar që në Kosovë të shpallej gjendje epidemike e gripit.
Infografikë: Përhapja e gripit në vitin 2019
Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se tashmë janë siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit ku edhe iu bëhet thirrje qytetarëve, sidomos atyre në moshë dhe atyre me sëmundje kronike, që të vaksinohen.