Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në muajin dhjetor në Tiranë.
Liderët e këtij rajoni janë takuar më parë edhe në Novi Sad dhe në Ohër, përderisa në këtë të fundit kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kanë arritur pajtueshmëri për miratim të një deklarate, përmes së cilës synohet të përmirësohet bashkëpunimi rajonal.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Thaçi ka thënë se Kosova për dallim nga Shqipëria, vazhdon të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet.
“Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë. Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka thënë mes tjerash presidenti.
Thaçi ka përsëritur se nuk mund të këtë përparim në bashkëpunimin rajonal pa pasur njohje reciproke, dhe se Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo në, siç është shprehur ai, iniciativat eksperimentale rajonale.
Ambasada amerikane bashkë me konsullatat e Shteteve të Bashkuara në Gjermani patën reaguar pas takimit të mbajtur në Ohër, duke thënë se SHBA-ja beson se në mënyrë iniciativa për Mini-Shengenin ballkanik të jetë e suksesshme, duhet të përfshihet i gjithë rajoni, bashkë me Qeverinë e Kosovës.
Haradinaj: Mini-Shengeni rrit ndikimin rus dhe kinez në rajon