Korrupsioni në Kosovë, sipas bizneseve, ka shënuar rritje në krahasim me pesë vjet më parë dhe vazhdon të jetë një nga problemet kyçe në të bërit biznes, thuhet në një studim të realizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i Aktivitetit të Drejtësisë Komerciale i Agjencisë për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara (USAID).
Sipas këtij studimi 72 për qind e bizneseve të anketuara konsiderojnë korrupsionin si çështje që kërkon trajtim prioritar.
“Duke cekur tri arsyet kryesore që nxisin bizneset të përfshihen në korrupsion, gati gjysma e të anketuarve shprehen se këtë e bëjnë për të shmangur ndonjë ndëshkim, pasuar nga një përqindje e madhe e atyre që besojnë se dëshira për të pasur një trajtim të favorshëm në një procedurë të hapur ose konkurruese i nxit bizneset të përfshihen në korrupsion”, thuhet në hulumtim.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, e ka konsideruar shqetësuses ekzistencën e një pranie të madhe të korrupsionit real, meqë sipas tij bizneset vazhdojnë të ngurrojnë në raportimin e korrupsionit tek autoritetet relevante.
“Prania e lartë e korrupsionit ndikon pashmangshëm në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe se institucionet e Kosovës duhet të punojnë tutje në luftimin e korrupsionit sepse ndryshe çdo betejë në përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja direkte do të jetë e humbur”, ka thënë mes tjerash Zeka.
Ndër arsyet kryesore që thuhet se dekurajojnë bizneset në raportimin e rasteve të korrupsionit janë edhe: frika e hakmarrjes nga institucionet përkatëse në të ardhmen, mungesa e besimit në sistemin gjyqësor, si dhe mungesa e rezultateve konkrete nga luftimi i korrupsionit.
Në Kosovë ekzistojnë mekanizma dhe organe për luftimin e dukurisë së korrupsionit, por bazuar në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore, luftimi i kësaj dukurie mbetet ende në shkallë mjaft të ulët.
Në raportin e fundit të publikuar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International për vitin 2018, Kosova është renditur e 93-ta duke shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit radhit 180 vende dhe territore në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.