Së paku 51 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që goditën Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit.
Një vajzë 20 vjeçare, e cila kishte mbetur e plagosur, ka ndërruar jetë paraditen e së shtunës në spital, duke e çuar në 51 numrin e viktimave nga tërmeti.
Mbi 5 mijë persona kanë mbetur të pastrehë si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.
*Video: Çifti nga Thumana mbetet pa shtëpi
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë të shtunën, konfirmoi humbjen e jetës së 50 personave nga tërmeti.
Ai theksoi se tashmë operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar.
Më tej, kryeministri bëri të ditur se aktualisht janë duke marrë ndihmë mjekësore në spitale 41 persona, 34 në spitalin e Traumës, 4 në Durrës dhe 3 jashtë vendit.
“Numri i qytetarëve që janë ndarë nga jeta si pasojë e tërmetit ka mbërritur në 50 dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë përfunduar. Duke përsëritur edhe njëherë shprehjen më të fuqishme të mirënjohjes të gjithë atyre që u përfshinë në këto operacione dhe duke i shprehur edhe njëherë mirënjohjen më të thellë miqve dhe partnerëve që në një kohë shumë të shpejtë mobilizuan trupa të super-specializuar të kërkim-shpëtimit, më lejoni të përsëris sepse më duket shumë e rëndësishme që trupat tona, forcat e përfshira në momentin më akut të krizës, meritojnë vlerësimin më të lartë”, u shpreh kryeministri në mëngjesin e së shtunës.
Ai ka bërë të ditur që së shpejti do të bëhet raporti i qëndrueshmërisë së banesave dhe inspektimi i godinave, përfshi qendrat shëndetësore, shkollat, kopshtet dhe çerdhet.
Sipas bilancit zyrtar përfundimtar nga Ministria e Mbrojtjes, qyteza e Thumanës, ku u shembën dy pallate, është më e goditura me 26 të vdekur.
Në Durrës, ku nga tërmeti u shembën dy hotele në zonën e Plazhit, një vilë tre katëshe në zonën e ish Kënetës, dhe dy pallate në qytet, janë 24 persona që humbën jetën.
Në mesin e viktimave të tërmetit janë 6 fëmijë dhe 22 gra. Në operacionet ë kërkimit nëpër rrënoja, morën pjesë rreth 250 efektivë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE-je dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në total janë së paku 900 të plagosur, nga të cilët 41 janë ende të shtruar në spital. Mes tyre, një vajzë është në gjendje të rëndë, dhe sipas vlerësimit të mjekëve transferimi i saj jashtë vendit është i pamundur. Tre të tjerë që gjithashtu kanë qenë në gjendje të rëndë, janë dërguar për trajtim të specializuar jashtë vendit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritura në Durrës”.
Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se USAID ka nisur për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles.
Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta.
Shqipëria ka aktivizuar për herë të dytë, Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Pas kërkesës së parë, menjëherë pas tërmetit, e cila bëri të mundur mobilizimin e tre ekipeve nga Greqia, Italia dhe Rumania për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit, Qeveria e Shqipërisë kërkon tani dhe ekspertë për të bërë vlerësimin e dëmeve në ndërtesa.
Sipas një deklarate të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, “Italia dhe Greqia janë ofruar për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim”.
Njoftimi bën të ditur se “ekipi i Mekanizmit për Mbrojtjen Civile të BE-së po punon ngushtë me autoritetet vendore dhe donatorët për një vlerësim të konsoliduar të nevojave, me përparësi dhënien e ndihmës në materiale. Mbrëmjen e djeshme, Delegacioni i BE-së kryesoi një takim me shtetet anëtare të BE-së, vendet joanëtarë të BE që marrin pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, si dhe partnerët e organizatat ndërkombëtare (agjencitë e OKB, USAID etj.), mbi reagimin ndaj emergjencës”.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca ka thënë se "Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij janë duke qëndruar përkrah Shqipërisë dhe po punojnë pa ndalim për të ofruar ndihmë në këtë moment shumë të vështirë. Ekspertët e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE dhe dhjetë Shteteve Anëtare të BE -së, janë aktualisht në terren për të ndihmuar autoritetet qendrore dhe vendore.
Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6,4 ballësh të Rihterit njëherësh ishte më i fuqishmi në dekada që ka goditur Shqipërinë. Epiqendra e tij ishte në Detin Adriatik, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.
*Video nga arkivi: Dyzetetetë orët e tërmetit
Ai u pasua nga dhjetëra tërmete me magnitudë më të ulët, dhe qindra lekundjë tjera sizmike.