Ndërlidhjet

Pse Kosova ia ka drojën “Mini-Shengenit” ballkanik?


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Pjesëmarrja apo bojkotimi i nismave rajonale, siç është rasti me “Mini-Shengenin” ballkanik, është çështje që i ndanë në dy anë, për dhe kundër, edhe njohësit e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Disa nga ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se kjo nismë paraqet një improvizim politik përderisa Kosova nuk trajtohet aty e barabartë për shkak se nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të tjerë mendojnë se Kosova nuk duhet të mungojë në nisma që kanë si qëllim rritjen e bashkëpunimit në rajon.

Të dielën, më 10 nëntor, liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal.

Për apo kundër "Mini-Shengenit" ballkanik?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Muhamet Mustafa, profesor në Kolegjin Riinvest, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se e gjithë kjo iniciativë nuk ka përmbajtje substanciale dhe më shumë është e përcjellur me improvizime politike.

Sipas tij, kjo nismë nuk paraqet diçka të re, pasi që dihet që Kosova ka marrëveshje të nënshkruara rajonale, por të cilat nuk zbatohen.

“Hapësirat që i kemi, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me Evropën dhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA) nuk janë shfrytëzuar. Përderisa këto hapësira nuk shfrytëzohen për arsye politike, kryesisht për shkak të sjelljeve të Serbisë lidhur me njohjen e Kosovës dhe pengimin e Kosovës, mendoj se e gjithë kjo iniciativë është e përcjellur me improvizime”.

"Përderisa nuk ka marrëdhënie politike korrekte dhe respektim të partneritetit, ky “Mini Shengen”, nuk shoh ndonjë përmbajtje esenciale”, tha Mustafa.

Por, ndryshe mendon eksperti për çështje ekonomike Safet Gërxhaliu. Ai thotë se Republika e Kosovës nuk duhet të jetë refuzuese ndaj iniciativave bashkëpunuese rajonale që kanë për qëllim thellimin e partneritetit në Ballkanin Perëndimor.

Gërxhaliu thotë se Kosova duhet të jetë e pranishme në këto forume për të adresuar problemet politike dhe ekonomike, sidomos me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, e jo të jetë refuzuese karshi iniciativave të ndryshme rajonale.

“Nga një politikë e tillë refuzuese përfitojnë ata që vërtet u shkon në favor mosprania e Kosovës dhe mosadresimi i problemeve. Në këtë drejtim Kosova duhet të jetë pjesë e këtyre iniciativave. Duhet të jetë e pranishme në mënyrë që të mbrohen interesat e Republikës se Kosovës sepse takimet në vendet e Ballkanit dhe deklaratat në Prishtinë nuk i bëjnë nderë Kosovës”, thekson Gërxhaliu.

Ndryshe, takimi i fundit i liderëve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur të dielën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, si vazhdimësi e takimit të Novi Sadit për krijimin e një “Mini-Shengeni” mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Pjesëmarrjen në këtë takim e ka refuzuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngase siç ka thënë ai, Kosova ishte anashkaluar në takimin e parë në Novi Sad të Serbisë.

Kjo iniciativë rajonale, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kandidati kryesor për mandatarin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Report TV se takimi në Ohër s’është dashur të mbahet.

“Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, është e gabueshme dhe pashpjegueshme ngutia që medoemos, tani, të mbahet takimi në Ohër në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë.

Krijimin e një "Mini-Shengeni" e ka kundërshtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, kjo çon në krijimin e një "Mini-Jugosllavie".

Por, Safet Gërxhaliu shprehet se në shekullin e XXI -të Kosova nuk e ka komoditetin të jetë vendi më i izoluar.

“Është shumë më e rrugës që të debatohet dhe të diskutohet, me qarqet kyçe, aty ku është debati se sa të izolohemi dhe të komentojmë në Facebook. Prandaj, besoj se në këtë drejtim vërtet të ketë një dialog në rend të parë interno e më pas rajonal”, thekson Gërxhaliu.

Ndërkaq, profesori Muhamet Mustafa, konsideron se çdo nismë rajonale e çfarëdo karakteri, duhet të përfshijë bashkërisht të gjitha shtetet e rajonit.

“Nëse fillohet iniciativa duhet të fillojnë se bashku të gjitha vendet. Jo të fillojnë tri shtete njëherë e më pas të tjerat. Në këtë drejtim, mendoj se kjo iniciativë është shumë improvizuese. Thuhet se duhet të zvogëlohet pritja në dogana, por pritja mund të zvogëlohet me masa tjera. Mirëpo ka shumë probleme më të mëdha në mes vendeve ballkanike se sa pritjet në dogana” tha Mustafa.

Nisma për “Mini-Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, Palmer tha se kjo nismë “tregon vendosmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.

Takimi i radhës së liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, ku pritet të jetë sërish e ftuar edhe Republika e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG