Ndërlidhjet

Myk dhe lagështi në sallat e operimit në Klinikën Ortopedike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kushtet jo të mira higjienike kanë ndikuar që vetëm një nga tri sallat e operacionit në Klinikën Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të mbetet e hapur për intervenime për raste urgjente.

Si arsye që kanë çuar deri te mbyllja e sallave, sipas Inspektoratit Sanitar, kanë qenë kushtet jo të volitshme higjienike, përkatësisht myku dhe lagështia.

Lagështia në sallat e operacionit ka ardhur si rezultat i rrjedhjes së një gypi të ujit, për shkak të mungesës së izolimit të ndërtesës.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, tha për Radion Evropa e Lirë se deri te mbyllja e sallave operative ka ardhur pas inspektimit që i është bërë kësaj klinike dhe përfundimit se aty rrezikohen pacientët.

“Ka pasur prova materiale të bollshme, andaj janë mbyllur dy salla dhe është lënë një sallë në mënyrë që të mos bllokohen të gjitha dhe të rrezikohet jeta e pacientëve”.

“Është bërë marrëveshje që të ketë kushte higjienike-sanitare në nivel, në mënyrë që pacientët të mos kenë ndonjë pasojë shëndetësore nga myku apo niveli i ulët i higjienës. Ne kemi vepruar komform realitetit i cili ka qenë aty”, tha Tërshnjaku.

Në anën tjetër, ortopedi Xhemajl Selmani, deklaroi se në klinikën ku ai punon, përpos kushteve higjienike-sanitare, edhe kushtet e punës përfshirë aparaturën, janë nën nivel.

Në këtë klinikë, thekson ai, po punohet me rastet emergjente, derisa ato jo urgjente janë shtyrë për kohë të pacaktuar.

“Pas inspektimit nga Inspektorati në Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji, kanë vërejtur myk dhe aromë kundërmuese në salla dhe kanë marrë vendim të mbyllen sallat e Klinikës Ortopedike. Por, për raste emergjente e kanë lejuar punën në njërën sallë”, tha Selmani.

Ai shton se tashmë në klinikë po punohet për evitimin e problemit dhe shpreson që së shpejti do të funksionalizohen edhe dy sallat e mbyllura.

“Punimet tashmë kanë filluar dhe është premtuar që brenda 10 ditësh do të sanohet gjendja. Ne i kemi anuluar ose shtyrë të gjitha rastet joemergjente, derisa ato raste që duhet të operohen në klinikë, do të punohet me kapacitetet të shtuar dhe me orar të zgjatur nga stafi i klinikës”, tha ai.

“Ne kemi punuar në ato kushte edhe më herët dhe ka gjashtë muaj që ne e kemi raportuar gjendjen, pra lagështinë në sallat e operacionit dhe rrjedhjet nga gypi’’, tha Selmani.

“Kushtet janë të rënda, duke përfshirë edhe mjetet e punës në salla operative, si me aparaturë po ashtu edhe me pajisje”, theksoi ai.

Sidoqoftë sipas Selmanit, ndonëse stafi i mjekëve është i aftë për operacione mjaftë specifike, pasi që janë trajnuar për to, ndër vite operacionet e tilla nuk janë kryer aty për shkak të mungesës së mjeteve të punës si dhe materialit shpenzues të nevojshëm për Klinikën Ortopedike.

Në mungesë të ofrimit të këtyre shërbimeve brenda këtij institucioni shëndetësor publik, pacientët detyrohen që të kërkojnë shërbime në klinikat private në Kosovë apo edhe në ato jashtë Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG