Ndërlidhjet

Rrjeti i ndikimit të Iranit në Lindje të Mesme "po rritet"


Disa iranianë duke festuar me flamurin e shtetit të tyre.
Disa iranianë duke festuar me flamurin e shtetit të tyre.

Irani është duke fituar luftën strategjike për ndikim në Lindje të Mesme kundër shtetit rival, Arabisë Saudite, është thënë në një studim të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Stategjike me seli në Londër.

Rivalët rajonalë të Iranit janë duke shpenzuar miliarda dollarë në armë perëndimore, është thënë në studim, mirëpo është theksuar se Irani ka ndikim të madh në Siri, Liban, Irak dhe Jemen.

Fakti se Irani ka krijuar një rrjet të alencave jo-shtetërore në Lindje të Mesme, që shpesh konsiderohen si “milici deleguese”, nuk përbën lajm të ri, thuhet mes tjerash në raport.

Duke nisur me Hezbollahun në Liban, Republika Islamike ka synuar të shpërndajë ideologjinë revolucionare dhe të zgjerojë ndikimin e saj përtej kufijve, sidomos pas kthimit të udhëheqësit, Ayatollah Ruhollah Khomeini në Teheran më 1979.

Raporti 217 faqësh i këtij Instituti shpërfaq një varg detajesh të pashembullta rreth rritjes së opreacioneve të Iranit në rajon.

Në prill të këtij viti, presidenti amerikan, Donald Trump ka shpallur Gardën Revolucionare të Iranit, si organizatë teroriste. Kjo ka qenë hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë shtuar një pjesë të një qeverie tjetër në këtë listë.

Irani pati reaguar ndaj vendimit të Trumpit duke e shpallur ushtrinë amerikane në Gjirin Përsik si subjekt terrorist.

Në përgjigje ndaj këtij raporti, një zëdhënës i ambasadës së Iranit në Londër ka thënë për BBC-në: Nëse raporti nënkupton se roli i Iranit në rajon duhet të respektohet, kjo është shenjë e mirë.

“Politika e të injoruarit të Iranit nuk ka funksionuar. Irani po ashtu ka kontrolluar me sukses dëmet e terrorizmit ekonomik të SHBA-së. Por, po, është një komb i fuqishëm që ka shumë marrëdhënie me kombet tjera dhe iniciativa për bashkëpunim rajonal”, është cituar të ketë thënë ai.

Javë më parë, Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të rrisin presionin ekonomik ndaj Iranit, për shkak të programit bërthamor.

Tensionet në mes të Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Përveç largimit, Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer dhe shtuar sanksionet ndaj Iranit, duke i shënjestruar eksportet e naftës dhe sektorin bankar, ndërkohë që Teherani është tërhequr nga disa pika të marrëveshjes bërthamore.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se dëshiron të rinegociojë marrëveshjen bërthamore, meqë sipas tij kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin në zhvillimin e armëve bërthamore apo që të pajtohet për të mos zhvilluar programin raketor.

Irani në anën tjetër ka refuzuar negociata të reja, duke shtuar se programi raketor ka vetëm qëllime të energjisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG