Ndërlidhjet

BE: Çështja e noterëve të rinj t’i lihet Qeverisë së re të Kosovës


Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.
Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga institucionet në largim të Kosovës që të mos marrin vendim për përzgjedhjen dhe emërimin e noterëve të rinj, pasi sipas BE-së, kjo duhet t’i lihet Qeverisë së re të Kosovës.

“U bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga çdo emërim i ri i noterëve sepse ne besojmë fuqishëm se ky vendim duhet t’i lihet qeverisë së re”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Zyra e BE-së në Prishtinë kërkon që procesi i përzgjedhjes së noterëve të rinj të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi, me qëllim që të shmangen parregullsitë.

“Procesi i përzgjedhjes të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin e shoqërisë ndaj personave që kanë këtë rol me përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Lidhur me deklaratën e Zyrës së BE-së për çështjen noterëve të rinj, ka reaguar ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se procesi i rekrutimit të noterëve të rinj “është bërë në përputhje të plotë me ligjin”.

Duke komentuar deklaratën e BE-së, që kërkoi që emërimi i noterëve t’i lihet Qeverisë së re të Kosovës, ministri Tahiri tha se “rënia e qeverisë e ka gjetur procesin pothuajse të përfunduar”.

“Prandaj, sot, përballë ftesës së Zyrës së BE-së për pezullimin e emërimit të noterëve të rinj, si ministër i Drejtësisë vlerësoj se emërimi i noterëve të rinj, mbi formulën që është paraparë si e domosdoshme dhe emergjente për të përmbushur nevojat e qytetarëve, veçmas komuniteteve joshumicë, është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë”, ka thënë Tahiri.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës është kritikuar edhe nga organizatat e shoqërisë civile, për shkak se ka përzgjedhur noterë të rinj në kohën kur Qeveria e Kosovës është në largim dhe kanë kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter të ri.

“Procedura e përzgjedhjes së noterëve të rinj është zhvilluar edhe gjatë kohës kur qeveria nuk kishte legjitimitet për të zhvilluar një proces të tillë. Përzgjedhja është bërë duke mos respektuar standardet minimale të transparencës për të bindur publikun dhe opinionin e gjerë së ky proces është i drejtë, i paanshëm, i pavarur dhe i bazuar në meritokraci të kandidatëve”, thuhej në reagimin e përbashkët të disa organizatave të shoqërisë civile, të publikuar më 8 tetor.

XS
SM
MD
LG