Ndërlidhjet

Osmani: Qeveria e re duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme


Vjosa Osmani.
Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor në Kosovë, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook se qeveria e re duhet të përbëhet nga opozita e legjislaturës së kaluar.

Teksa ka falënderuar të gjithë përkrahësit e saj, Osmani ka thënë se për të nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit në mes të partisë që ajo i takon dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e së dielës.

Të përbashkëtat dhe dallimet e LVV-së dhe LDK-së në planin ekonomik

“Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Një ditë më parë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se këto ditë do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar mundësitë e bashkëqeverisjes.

"Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor, por edhe interesin e LDK-së", ka thënë Mustafa.

Në bazë të rezultateve preliminare nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.48 për qind të votave, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës, 24.82 për qind.

Numërimi i votave të rregullta ka përfunduar të martën, ndërsa votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta nuk janë numëruar ende.

Edhe zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë se do të bisedojnë me LDK-në për mundësinë e marrëveshjes për koalicion.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr për 12 vjet, ka dalë e treta sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG