Ndërlidhjet

Tahiri: Radoiçiqi, i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit


Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri
Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri

Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, është shënuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e liderit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, dhe dosja e tij është kompletuar, dhe proceduar organeve ndërkombëtare, me qëllim që të nxirret fletarrestimi ndërkombëtar.

Këtë e ka deklaruar ministri në largim i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, duke thënë se një vendim të tillë e ka sjellë Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Milan Radoiçiq është i dyshuar për vrasjen e politikanit kosovar Oliver Ivanoviq”, thuhet në deklaratën e Tahirit.

“Në angazhimin tonë për të sjellë para drejtësisë vrasësit e politikanit kosovar të nacionalitetit serb, Oliver Ivanoviq, sot kemi marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe e kemi proceduar tutje Fletë Rreshtimi Ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor Milan Radoiçiq. Pavarësisht pengesave në hetime që janë shkaktuar nga pushteti në Serbi, si institucione përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin, ne nuk jemi zbrapsur dhe kemi qenë të pa kompromis në ndjekjen e të dyshuarve, që të njëjtit të sillen para drejtësisë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka shtuar se Fletë Rreshtimi Ndërkombëtar është hap konkret që do të ndihmojë në zbardhjen e rastit në tërësi, dhe do të bëj të ditura motivet, si dhe urdhërdhënësit e kësaj vepre penale.

Vrasja e politikanit serb Ivanoviq, ka ndodhur me 16 janar të vitit 2018, në Mitrovicën Veriore, para selisë së subjektit të tij politik.

Milan Radoiçiq gjendet në Serbi, ku si një nga liderët e Listës Serbe paraqitet në takime të larta politike. Për herë të fundit, ai është parë më 3 korrik të këtij viti, në Presidencën e Serbisë në Beograd, me rastin e takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e afërt me Partinë Progresiste Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe ka qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, ajo ka fituar në zgjedhjet për pushtet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, në dhjetor të vitit 2018.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG