Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, ka thënë se ekzistojnë të dhëna kredibile se princi saudit, Mohammed bin Salman dhe zyrtarë tjerë të lartë, janë individualisht përgjegjës për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi.
Callamard ka thënë se të dhënat duhet hetuar ende nga një trup i pavarur ndërkombëtar.
Khashoggi është vrarë brenda konsullatës saudite në Stamboll nga agjentë sauditë.
Autoritetet e Arabisë Saudite kanë thënë në anën tjetër se agjentët nuk kanë vepruar nën urdhërat e princit saudit.
Mbretëria saudite është duke gjykuar 11 persona të paidentifikuar për vrasjen e Khashoggit dhe është duke kërkuar dënim me vdekje për pesë prej tyre.
Mirëpo sipas Callamard, procesi gjyqësor ka dështuar që të përmbushë procedurat dhe standardet ndërkombëtare, andaj ka kërkuar pezullimin e këtij procesi.
Khashoggi, 58-vjeçar, kolumnist për të përditshmen, The Washington Post, dhe kritik i zëshëm i princit Mohammed, është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite më 2 tetor të vitit të kaluar, për të siguruar dokumentet që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij, Hatice Cengiz.
Hetuesit kanë thënë se Khashoggit i është injektuar një sasi e madhe e drogës, që ka rezultuar me mbidozë.
Më pas pjesëtarët e ambasadës është thënë t’i kenë coptuar trupin dhe e kanë dërguar në një vend të panjohur jashtë konsullatës.