Ndërlidhjet

U caktohet masa e arrestit shtëpiak edhe 19 grave të tjera të kthyera nga Siria


Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë.
Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se u është caktuar masa e arrestit shtëpiak 19 grave të tjera të kthyera nga Siria.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur lidhur me dy kërkesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurave R.Q, F.Z, J.XH, A.M, Q.S, E.B, V.A, E.S, M.T, V.T-D, SH.T, M.T, L.I, A.A, G.L-K, D.D, V.I dhe J.L për shkak të veprës penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

"Të pandehurave R.Q, F.Z, J.XH, A.M, Q.S, E.B, V.A, E.S, M.T, V.T-D, SH.T, M.T, L.I, A.A, G.L-K, D.D, V.I dhe J.L iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj për secilën veç e veç, duke filluar nga data 24.04.2019 deri me datë 24.05.2019", thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kimete Krasniqi, avokate e njërës nga gratë e dyshuara për këtë vepër penale, tha pas seancës se ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak.

“Për të mbrojturën time nuk ka asgjë që është e vërtetuar se ka kryer këtë vepër penale. Klientja ime ka qenë e mashtruar nga burri i saj tashmë i njderë, i cili është vrarë pas tre muajsh të qëndrimit atje”, tha Krasniqi.

Dhjetë gra të kthyera nga Siria paraqiten në gjykatë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Grupi i parë i përbërë nga dhjetë gra u paraqit të martën para Gjykatës Themelore të Prishtinës. Pas përfundimit të seancës, Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër 10 grave të pandehura, me inicialet, V.B., F.D., F.L., N.H., A.Z., V.K., H.K., L.L., S.S. dhe M.A. për shkak të veprës penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Të dhjetë grave iu caktua masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj për secilën, duke filluar nga data 23.04.2019 deri më 23.05.2019. Gjykata tha se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri më 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, konfirmoi të martën për Radion Evropa e Lirë se janë duke u zhvilluar hetime ndaj 32 grave të kthyera nga Siria nën dyshimet për veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Javën e kaluar, 110 kosovarë u kthyen nga Siria në Kosovë, kryesisht gra dhe fëmijë, mirëpo edhe katër luftëtarë, të cilët u arrestuan menjëherë pas arritjes në Kosovë.

Të kthyerit u mbajtën për 72 orë në Qendrën për të Huajt në fshatin Vranidoll në periferi të Prishtinës dhe më pas u lejuan që të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG