Ndërlidhjet

Lavrov: Për Kosovën do ta pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, përsëriti se Moska këmbëngulë në zbatimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që përfshinë edhe dialogun e drejtëpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe respektimin e integritetin territorial të Serbisë.

“Në këtë kontekst ne do të kontribojmë në çdo mënyrë të mundshme në gjetjen e zgjidhjes. Por, çfarë zgjidhje konkrete mund të mbështesë Rusia? Ne, kemi theksuar vazhdimisht se do të pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë, pikë”, ka thënë Lavrov pas takimit që pati në Moskë me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Nga ana e tij, ministri serb Daçiq tha se u bisedua edhe për takimin mes presidentin rus, Vladimir Putin dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që do të zhvillohet në kuadër të forumit “Brezi dhe Rruga”, i cili mbahet më 25 deri më 27 prill në Kinë.

“Serbia nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit pa ndihmën e Rusisë”, deklaroi Daçiq.

Ai theksoi se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa konsultime me Rusinë.

Rusia është një aleate e Serbisë në raport me çështjen e Kosovës. Kur në muajin janar vizitoi Serbinë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se Moska mbështet çdo zgjidhje mes Prishtinës dhe Beogradit që është në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Takimi i dytë për këtë vit ndërmjet presidentit rus Putin dhe atij serb Vuçiq që do të zhvillohet në Kinë, pritet të ketë në fokus edhe çështjen e Kosovës.

Këtë e konfirmoi të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi Vuçiq-Putin mbahet dy ditë para se në Berlin të takohen udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një iniciative të dy vendeve evropiane, Gjermanisë dhe Francës për të gjetur një zgjidhje e cila do të zhbllokonte procesin e dialogut mes dy vendeve si dhe përafrimin e qëndrimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për të dyja vendet.

Arritjen e një marrëveshjeje po e kërkon me ngulm edhe administrata amerikane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG