Derisa hetuesit po kërkojnë për të gjetur shkakun e zjarrit në katedralen me famë botërore Notre Dame në Paris, dy portale serbe pohojnë se e dinë shkakun e vërtetë të zjarrit në Kishën gotike të shekullit të 12-të. Sipas tyre, shkaku është valëvitja e flamurit kosovar.
Portalet Alo dhe Informer, që njihen për lidhjet e tyre të afërta me qeverinë serbe, më 15 prill publikuan raporte në faqet e tyre, duke thënë se zjarri tragjik është “Dënim i Zotit” për shkak të valëvitjes së flamurit të Kosovës brenda katedralës gjatë shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Notre Dame shfaqi flamurin e “shtetit të rremë të Kosovës” dhe për këtë arsye “po shkatërrohet tani nga një zjarr tragjik”, u tha në raportin e portalit Informer, duke e ilustruar shkrimin me një fotografi të tymit që dilte nga katedralja dhe një fotografi tjetër nga holli i saj ku shihej flamuri i Kosovës së bashku me flamujt e vendeve tjera.
Portali Informer e largoi më pas shkrimin nga faqja në internet pa dhënë asnjë shpegim.
Portali tjetër Alo tha se flamuri i Kosovës i shfaqur vitin e kaluar në Notre Dame ka qenë si “përshtymë ndaj viktimave serbe” nga lufta e përgjakshme në Kosovë gjatë viteve 90-ta.
Për këtë, portali serb thotë se zjarri ka qenë dënim për valëvitjen e flamurit të Kosovës.
Mirëpo edhe ky medium më vonë e tërhoqi shkrimin pa dhënë asnjë shpjegim.
Kosova e deklaroi pavarësinë nga Serbia më 2008 gati një dekadë pas luftës së viteve 1998-99 që përfundoi pas sulmeve ajrore të NATO-s në Serbi duke e detyruar Beogradin të tërheq trupat nga Kosova.
Nga konflikti mbetën të vrarë rreth 13 mijë njerëz dhe qindra mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Mbi 90 përqind e popullatës prej 1.8 milionëshe të Kosovës përbëhet prej shqiptarëve etnik. Rreth 5 përqind janë serbë dhe disa pjesë të vendit janë të ndara në linja etnike.
Vendet perëndimore shpresojnë se Kosova mund të bëhet një vend stabil dhe shumë etnik.
Në Kosovë ende janë të pozicionuara rreth 5 mijë trupa të NATO-s. Pavarësinë e saj e kanë njohur më shumë se 115 vende por jo edhe Serbia, Rusia, Kina dhe pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Në kohën kur u bë “zhurmë” për flamurin e Kosovës në Notre Dame, zyrtarët thanë se vendosja e tij u bë në bazë të listës së të ftuarve që e kishte përgatitur qeveria franceze.
Por nuk ishte vetëm çështja e flamurit, shumë serbë u zemëruan kur në ceremoninë e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i ulur pranë presidentit rus, Vladimir Putin, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u pozicionua shumë larg në anën e kundërt. Rusia është një aleat tradicional i Serbisë dhe refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës,
Presidenti serb ndërkaq doli në mbështetje të Francës pas zjarrit që kaploi katedralen e Notre Dame.
Ai shkroi në Twitter se të gjithë serbët janë të pikëlluar nga ajo që ndodhi në kishë, e cila vizitohet nga 13 milionë njerëz çdo vit.
“Ne jemi me miqtë tanë francez dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në restaurimin e simoblit të Francës dhe mbarë civilizimit botëror”, shkroi Aleksandar Vuçiq.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, u zotua të rindërtojë monumentin e përshkruar si shpirti i kombit dhe shprehu lehtësim se "më e keqja ishte shmangur" nga zjarri që në një moment kishte kërcënuar të gjithë ndërtesën.
Megjithëse rrënja dhe pjesa më e madhe e kulmit të strukturës mesjetare 850 vjeçare, një nga monumentet më të vizituara, u shemb, struktura kryesore, duke përfshirë dy kullat e këmbanave, u ruajt dhe shumica e veprave të çmuara të artit dhe objektet fetare u larguan në mënyrë të sigurt nga zjarri.
Përgatiti: Kestrin Kumnova