Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që të mos ndërlidh vazhdimin e dialogun me taksën doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj ka thënë se “dialogu ka dalë nga binarët” para se të vendosej taksa doganore në nëntorin e vitit të kaluar.
“Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi i propozimit për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese – këto janë arsyet. Dialogut mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”, ka shkruar Haradinaj.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”.
Pasi të ndodhë kjo, Mogherini përsëriti se do të thërrasë menjëherë rundin e ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.
Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që prej se Kosova vendosi taksën doganore prej 100 për qind.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog, pa u hequr taksa. Por, Haradinaj po këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në Bruksel.