Ndërlidhjet

Federata Spanjolle e Futbollit nuk i pranon simbolet e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim

Federata Spanjolle e Futbollit nuk ka pranuar që Përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshjet e grupit të pestë për kampionatin evropian U-17 “Irlanda 2019” me simbole shtetërore.

Federata Spanjolle kërkoi nga Federata e Futbollit të Kosovës që të mos prezantohet me simbole shtetërore duke kërkuar kështu gjetjen e një zgjidhjeje alternative apo përdorimin e flamurit të UEFA-s.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu tha për Radio Evropa e Lirë se pas ankesës së FFK-së në UEFA është vendosur që ndeshjet të zhvillohen në shtetin e Zvicrës.

“Ne kemi shkruar letër dhe kemi thënë se në asnjë çast ne nuk pranojmë me marrë pjesë në asnjë garë të UEFA-s në të cilën nuk shpaloset flamuri edhe himni i Kosovës. Ata kanë thënë se a bënë me logo të federatës?! Ne u kemi thënë se asnjë lloj kompromisi nuk bëjmë vetëm kërkojmë të luajmë futboll”, tha Salihu.

Federata e Futbollit të Kosovës bëri të ditur se ka kërkuar masa ndëshkimore ndaj shteteve të cilat për arsye politike pengojnë apo nuk mund të organizojnë ndeshje të futbollit.

“Kemi kërkuar nga UEFA që të ketë pasoja për shtetet që nuk janë të gatshme të organizojnë, kanë probleme, konteste. Kështu që është një mësim i mirë për Spanjën, për të keq, kuptohet”, deklaroi Salihu.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, tha se UEFA ka pasur qëndrim korrekt për sa i takon këtij rasti.

"Tregues i kësaj është vet fakti pse Spanjës i është marrë e drejta e organizimit të këtyre ndeshjeve tha Salihu.

Në kuadër të kampionatit U-17 “Irlanda 2019”, Kosova do të përballet edhe me dy shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke përfshirë, Greqinë dhe Ukrainën. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen prej 25 deri më 31 mars të këtij viti.

Edhe me herët shteti spanjoll ka penguar sportistët nga Kosova.

Kampionati Evropian për Junior në Peshëngritje u zhvillua në Poloni ani pse fillimisht kjo e drejtë i ishte dhënë Spanjës. Asaj iu hoq e drejta pasi nuk lejoi pjesëmarrjen e peshëngritësve kosovarë me simbole të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG