Ndërlidhjet

BE përsërit shqetësimin për taksën 100 për qind


Ilustrim.
Ilustrim.

Bashkimi Evropian ka shprehur edhe njëherë shqetësim për mospezullimin e taksës prej 100 për qind nga autoritetet e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se kjo masë po ndikon negativisht në procesion e dialogut me Serbinë.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataylia Apostolova dhe shefat e tjerë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, kanë ritheksuar se taksa paraqet shkelje të qartë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe ndikon negativisht në bashkëpunimin rajonal, është thënë në komunikatë.

"Jemi të vetëdijshëm se suksesi i dialogut varet nga shmangia nga veprimet e padobishme nga të dyja palët dhe rikujtojmë se BE-ja i ka kërkuar të dy palëve të veprojnë në përputhje me këtë; në këtë frymë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të artikulojë qartë hapat konkret që do të ndërmarrë për të mundësuar pezullimin e tarifës, ashtu që bashkëpunimi rajonal të mund të ecë përpara. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht ofertën e Komisionit Evropian për të ndihmuar në heqjen e pengesave jotarifore me të cilat ballafaqohen eksportet e Kosovës në rajon", është përmendur ndër të tjera në komunikatë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të bëjnë thirrje për pezullimin e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur se nuk do të tërheqë taksën derisa të garantohet njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë se vendimi për mospezullim të taksës nga Qeveria e Kosovës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG