Ndërlidhjet

Qytetarët nuk e duan kthimin e luftëtarëve të huaj në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë kthimin e luftëtarëve të huaj, pasi konsiderojnë se ata janë shqetësim për sigurinë e vendit për shkak të aftësive të tyre luftarake dhe lidhjeve me gupe terroriste, thuhet në një raport të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Në raportin e QKSS-së mbi Kërcënimet e Reja të Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë, thuhet se numri më i madh i të anketuarve nuk do të pranonin një ish-luftëtar të kthyer në komunitetin e tyre.

“Më shumë se 65 për qind e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se luftëtarët e huaj të kthyer nga zonat e konfliktit, paraqesin rrezik për sigurinë e vendit”, tha Vesë Kelmendi nga QKSS.

Një numër shumë më i vogël është shprehur i gatshëm që t’i pranojë këtë kategori me kushtin që të vendoseshin nën mbikëqyrje institucionale.

12 për qind kanë deklaruara se nuk e kanë fare problem kthimin e tyre në komunitet.

Mendim tjetër kanë qytetarët sa i takon kthimit të grave dhe fëmijëve të ish-luftëtarëve të huaj që gjenden në zonat e luftës në Siri dhe Irak. 36 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se do t’i pranonin në komunitetin e tyre gratë dhe fëmijët që kthehen nga Siria dhe Iraku.

Sipas qytetareve gratë dhe fëmijët që iu bashkuan luftës së Sirisë, kryesisht janë detyruar dhe kërcënuar nga bashkëshorti ose babai ka marrë vendimin për tu bashkuar në zonat e konfliktit.

Por edhe në rastin e grave dhe fëmijëve 30 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk do t’i pranonin ata në komunitetin në të cilin jetojnë. 28 për qind kanë thënë po, vetëm nëse kanë mbikëqyrje shtetërore.

Raporti nxjerr në pah poashtu faktin se qytetarët krahasuar me vitet e kaluara besojnë më pak se ka persona të radikalizuar të cilët vazhdojnë të përhapin ekstremizmin e dhunshëm në komunitetin e tyre.

Megjithatë sa i përket ekstremizmit të dhunshëm qytetarët besojnë se situata mbetet e njëjtë më vitet e kaluara.

“Nga perceptimet në pyetjen se çka konsiderojnë rrezik qytetarët e Kosovës, 70 për qind e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë ekstremizmin e dhunshëm si rrezik”, tha Kelmendi.

Autorja e raportit, Vesë Kelmendi nga QKSS, thotë se qytetarët poashtu e konsiderojnë në nivel të lartë rrezikun format e tjera të ekstremizmit, duke përfshirë atë të motivuar politikisht.

“Sa i përket ekstremizmit të dhunshëm të ndarë në etnikisht të motivuar 30 për qind e qytetarët e shohin si rrezik. Rreziku më i madh ndaj qytetarëve mbetet ekstremizmi i motivuar politikisht”, tha Kelmendi.

Sa i takon besimit që qytetarët kanë në Institucionet Fetare, sipas QKSS, 57 për qind të praktikuesve myslimanë i besojnë Bashkësisë Islame të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG