William Barr, i nominuari i presidentit amerikan, Donald Trump në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara pritet të dëshmojë para Komitetit Gjyqësor të Senatit, në kohën kur ekzistojnë shqetësime për hetimet rreth Rusisë, të mbikëqyrura nga Këshilltari Special, Robert Mueller.
Dëshmia e Barr më 15 janar para këtij Komiteti përbën hapin e parë në procesin ku ai pritet të zëvendësojë Jeff Sessions, i cili është shkarkuar nga pozita e Prokurorit, me vendim të presidentit Trump.
Nëse nominimi i tij konfirmohet nga Senati, Barr do të udhëheqë Departamentin i Drejtësisë dhe do të ketë qasje të plotë ne hetimet e Muellerit.
Procesi i konfirmimit të tij vjen në kohën kur janë rritur pyetjet për hetimet e Muellerit, si dhe për vetë komunikimet e Trumpit me zyrtarët rusë, duke përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump ka shprehur vazhdimisht zemërim për Sessions, duke vlerësuar se ky i fundit ka shpëtuar veten vazhdimisht nga hetimet për Rusinë, të cilat janë organizuar meqë ekzistojnë dyshime për ndërhyje ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.
Në një dëshmi të përgatitur para paraqitjes së tij, Barr ka thënë se “është shumë e rëndësishme” që Muellerit t’i lejohet të kompletojë procesin hetimor.
Barr po ashtu ka thënë se mendon që Kongresi dhe publiku në përgjithësi duhet të mësojë për rezultatet e hetimeve të Muellerit, diçka që nuk kërkohet me ligjin aktual.
Hetimet e Muelleti kanë qenë hije mbi presidencën e Trumpit, prej kur ai ka fituar zgjedhjet.
Ndërkohë raportimet e mediave amerikane ditëve të fundit kanë shtuar edhe më shumë pyetje.
The New York Times ka raportuar javën e kaluar se FBI-ja ka hapur një hetim ndaj Trumpit, pasi është ish-drejtori i FBI-së, James Comey është përjashtuar nga puna në maj të vitit 2017.
Shkarkimi i tij pati rezultuar me emërimin e Muellerit.
The Washington Post ndërkaq ka raportuar se Trump ka tentuar të fshehë detajet e bisedave të tij me Putinin.
Trump në anën tjetër, në disa komente më 14 janar ka thënë se ai “nuk ka punuar kurrë për Rusinë”.