Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se përfshirja e dy partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në procesin e dialogut me Serbinë, do ta fuqizonte pozicionin negociues të Kosovës.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se opozita duhet ta shqyrtojë rolin e saj, sa u përket bisedimeve me Serbinë, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian.
“Qëllimi dhe ajo çka e konsideroj si mision timin, është konsolidimi i argumenteve të brendshme të Kosovës, fuqizimi i Kosovës në pozicionin negociues. Mendoj se edhe opozita duhet ta shqyrtojë rolin e vet. Pra, edhe LDK, edhe Vetëvendosje ta fuqizojnë Kosovën në pozicionin negociues me Serbinë”, tha Haradinaj, duke shtuar se në të kaluarën, udhëheqësia e Kosovës ka dhënë prova të mjaftueshme për racionalitet.
Duke përdorur analogji sportive, Haradinaj tha se Kosova po luan në dy liga, atë të brendshme dhe të jashtme, andaj tha se opozita e ka vendin e vet në procesin e dialogut, në mënyrë që Kosova të prezantohet sa më mirë karshi Serbisë.
“Janë dy liga në të cilat po luhet. Një është e brendshme – ne i vazhdojmë garat tona politike të brendshme, për pushtet, për të tjera – por është edhe një ligë e jashtme. E për këtë ligën e jashtme duhet ta bëjmë një kombëtare të Kosovës, një përfaqësuese të Kosovës. Aty e kanë vendin e vet edhe LDK-ja, edhe Vetëvendosja. Nuk është mirë që ta dobësojnë kombëtaren e vet sepse janë momente që janë me rëndësi kohore”, tha Haradinaj.
Partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, po refuzojnë që të bëhen pjesë e procesit të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, partia tjetër opozitare, Partia Socialdemokrate (PSD), është bërë pjesë e Ekipit negociues, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e partive në pushtet dhe bashkëkryesohet nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe ai i PSD-së, Shpend Ahmeti.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.