Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova e vendosur për marrëveshje përfundimtare me Serbinë


Foto arkiv
Foto arkiv

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u është adresuar sot deputetëve të Kosovës në fjalimin e tij vjetor. Presidenti Thaçi ka folur për të rriturat dhe sfidat e Kosovës para deputetëve të partive në pushtet, pasi partitë opozitare e braktisën seancën. Ai fillimisht si çështje suksesi ka përmendur faktin e miratimit të tri ligjeve për Ushtrinë e Kosovës.

“Jam ndjerë veçanërisht i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim tri ligjet me të cilat hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet ushtri e Kosovës. Shpesh jam ndjerë i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Por, jam i lumtur që më në fund i tërë spektri politik i Kosovës u bashkua rreth këtij synimi për transformimin e FSK-së”, ka thënë Thaçi.

Lexoni edhe këtë: A i luhati raportet e Kosovës me NATO-n, formimi i Ushtrisë?

Ai tha se Kosova është gati për dialog me Serbinë, dhe se sipas tij “Kosova zotohet se do të arrijë marrëveshje përfundimtare me Serbinë", që siç tha ai, “nënkupton një marrëveshje përfundimtare, njohje për Kosovën nga Serbia, ndryshimin e Rezolutës 1244 si dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuar”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se e mirëpret themelimin e ekipit negociator.

“Prandaj e mirëpres themelimin e Ekipit Negociator nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshjen me Serbinë. Kjo marrëveshje duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor e të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian dhe mbështetur plotësisht nga SHBA-ja”, ka thënë ai.

* LDK-ja dhe VV-ja: Ekipi negociator nuk e përfaqëson shumicën e opozitës

Thaçi po ashtu ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për SHBA-të, dhe presidentin Trump, për përkrahjen e vazhdueshme.

“I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Trump e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës. Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”.Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së. E kemi përkrahjen BE-së dhe të shteteve anëtare të saj. E kemi përkrahjen e botës për të arritur marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë", ka thënë pos tjerash Thaçi.

Lexoni edhe këtë: A do ta unifikojë spektrin politik në Kosovë letra e presidentit Trump?​

Presidenti ka falënderuar deputetët që e kanë votuar demarkacionin me Malin e Zi. Presidenti ka thënë se ka ndjerë dhimbje edhe për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe për vonesën e mos liberalizimin e vizave, për të cilat çështje ka thënë se nuk duhet parë si dekurajim.

Ndiqeni Radion Evropa e Lirë, përmes aplikacionit në iOS dhe Android

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG