Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha se referendumi i së dielës në këtë vend doli i suksesshëm, sepse, siç u shpreh, për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit u deklaruan mbi 600 mijë qytetarë.
Dimitrov i bëri këto komente edhe pse pjesëmarrja në referendum nuk e kaloi pragun e nevojshëm prej mbi 50%.
“Nëse nga mbi 650 mijë qytetarë që dolën në referendum, mbi 600 mijë kanë votuar ‘për’, ky është mandat i qartë politik që Maqedonia të ecë para. Fitore më e madhe nga cilado fitore e ndonjë partie politike", tha Dimitrov në një postim në Facebook.
Ai tha se tani mbetet të dëgjohet vullneti i popullit nga ana e deputetëve në Kuvend.
"Ua kemi borxh qytetarëve të ardhmen. Edhe do ta sigurojmë, në një mënyrë ose tjetër“, tha Dimitrov.
Ai është njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit të tij në Maqedonia e Veriut.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje, në referendum dhe me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, është thënë se do t'i hapte rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Të dielën, qytetarët e Maqedonisë u deklaruan nëse janë në favor të anëtarësimit të vendit të tyre në këto organizata përmes zbatimit të marrëveshjes për emrin.
Për më shumë lexoni këtë: Nuk kalohet pragu në referendumin e Maqedonisë