Ndërlidhjet

Vuçiq: Marrëveshja me Kosovën, duhet t'i garantojë Serbisë anëtarësim në BE


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se çdo marrëveshje me Kosovën, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve, duhet t’i garantojë vendit të tij anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Nëse ndonjëherë arrijmë marrëveshje me Kosovën, Serbia duhet ta ketë të sigurt se do të bëhet anëtëare e BE-së më 2025”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters më 13 shtator.

Bashkimi Evropian ka thënë disa herë se normalizimi i marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, është element kyç për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.

Presidenti serb ka thënë ndër të tjera se arritja e marrëveshjes mund të zgjasë deri në 10 vjet, për shkak të dallimeve mes palëve.

“Ndonjëherë qeshi kur dëgjoj njerëzit si i bëjnë gjërat të lehta dhe thonë se, unë do t’iu jap juve tri fshatra dhe unë do t’iu jap gjashtë të tjerë në këmbim”, është shprehur ai.

Me këtë deklaratë ai u është referuar diskutimeve të fundit për ndryshim kufijsh në mes të dy shteteve.

“Nëse ndonjëherë do të arrijmë marrëveshje, do të ishte një pakt që nuk do të përfshijë vetëm marrëdhëniet në mes neve dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe rezolutën për rrugën drejt BE-së dhe zhvillimin e ardhshëm ekonomik”, ka thënë ai.

“Tani për tani, ne nuk e dimë ku i kemi kufijtë”, është shprehur Vuçiq.

“Askush në rajon nuk duhet të jetë i frikësuar nga arritja e ndonjë marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, rajoni do të jetë më më stabil, më i fuqishëm dhe më atraktiv”, është shprehur ai.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, synojnë arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja palët.

Takimi i fundit në mes të dy presidentëve në Bruksel, atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka dështuar të mbahet, pasi ky i fundit ka refuzuar të takojë delegacionin nga Kosova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG