Britania e Madhe është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, ndërsa Kosova dhe Serbia duhet ta zgjidhin problemin me njohje reciproke, transmeton gazeta amerikane Politico deklaratën e një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme britanike.
"Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit më të gjerë".
"Qeveria britanike beson se kjo duhet të ndodhë në bazë të njohjes së shteteve të pavarura sovrane brenda kufijve të tyre të tanishëm", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme britanike.
Në këtë mënyrë, ai përsëriti qëndrimin e Londrës, i cili u bë publik qysh në fillim të gushtit, kur Ambasada Britanike në Prishtinë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është vendimtar për sigurinë dhe stabilitetin e dy vendeve.
Ideja për korrigjim të kufijve është shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.