Ndërlidhjet

Thaçi: Nëse arrihet marrëveshja, Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, foli sërish për mundësinë, siç e cilësoi ai, të korrigjimit të kufirit me Serbinë, gjatë procesit të ardhshëm të dialogut.

Këto komente, Thaçi i bëri pas vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës.

Ai tha se përfaqësuesit e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e kanë shprehur vullnetin e tyre që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, andaj, sipas tij, nëse ka pajtueshmëri në dialog, kjo pjesë do të mund t’i bashkohej Kosovës.

“Kemi rreth 400 kilometra të kufirit me Serbinë që duhet të shënjohen dhe pa demarkacionin me Serbinë nuk mund të përmbyllet procesi i shtetformimit dhe konsolidimit”, tha Thaçi.

“Për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, për korrigjimin e kufijve dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë, për asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërkaq, mendoj se është shumë e realizueshme, e pranueshme nga ana jonë, kërkesa e institucionalizuar e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën”, theksoi presidenti Thaçi.

“Nëse ka marrëveshje apo pajtueshmëri të dyanshme (në dialogun me Serbinë) askush nuk do të dilte kundër një marrëveshjeje të dyanshme, pra as nga Bashkimi Evropian, as SHBA apo NATO”, tha Thaçi.

Sipas tij, “korrigjim të kufijve do të ketë, por assesi ndarje të Kosovës”.

Ai tha se pret që nga fundi i muajit gusht dhe fillimi i shtatorit dialogu të dinamizohet nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG