Ndërlidhjet

Vaksinimi në Kosovë, mbi 95 për qind


Ilustrim
Ilustrim

Kosova renditet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit, kanë thënë drejtues të institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë.

Me një mbulueshmëri me mbi 95 për qind të imunizimit të fëmijëve në Kosovë, e që realizohet në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit, ky program konsiderohet si një prej ngjarjeve më të suksesshme të shëndetësisë kosovare.

Isme Humolli, epidemiologe, i tha Radios Evropa e Lirë se në Kosovë falë vaksinimit nuk ka sot paralizë të fëmijëve, nuk ka difteri që nga viti 1981, si dhe është përqafuar programi për eliminimin e fruthit dhe kontrollin e rubellës kongjenitale.

“Situata me mbulim me vaksina është e mirë, por duhet që ta shfrytëzojmë këtë situatë që ta mbajmë edhe vitet e ardhshme dhe të mos ndikojë diçka që të bie numri i njerëzve që vaksinohen. Ne po lobojmë që sa më shumë njerëz të vaksinohen sepse është në të mirë të shëndetit publik,” tha Humolli.

Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit është rishfaqur në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007 është trefishuar.

Fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit.

Ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95 për qind të popullsisë.

Arsyeja pse njerëzit nuk kanë pranuar t’i vaksinojnë fëmijët është thënë se vaksina kundër fruthit po e shkakton autizmin. Por, epidemiologja Isme Humolli e thotë të kundërtën.

“Vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin. Mendoj se çdo informatë që është kundër vaksinimit normal ka ndikuar negativisht. Por, paraqitja e rasteve të fruthit automatikisht e ngriti vetëdijen e popullatës dhe kërkesën për t’u vaksinuar dhe ata vetë u lajmëruan për vaksinim”, tha Humolli.

Ardita Tahirukaj nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thotë se imunizimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët dhe çdo person meriton të mbrohet nga sëmundjet te parandalueshme me anë të vaksinave e që ato luajnë një rol jetësor në mbrojtjen e të tjerëve.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë bashkohet me autoritetet kosovare duke ju kërkuar të gjithëve, për t’u siguruar që familja e tyre të jetë plotësisht e vaksinuar dhe plotësisht e informuar rreth vaksinave dhe sëmundjeve të rrezikshme që ato i parandalojnë”, tha Tahirukaj.

Nga muaji qershor i vitit 2017, kur edhe ishin lajmëruar rastet e para të fruthit në Kosovë, viti është përmbyllur me 1,005 persona të prekur me këtë virus ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG