Ndërlidhjet

Aktakuzë për rastin ‘Pronto’


Adem Grabovci, foto nga arkivi.
Adem Grabovci, foto nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë për rastin e njohur si “Pronto”, ku protagonist kryesor është ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Bashkë me Grabovcin, aktakuza përfshin edhe 11 persona me funksione të larta zyrtare ku bëjnë pjesë edhe ministri aktual Besim Beqaj dhe deputeti Zenun Pajaziti. Po ashtu, në akuzë përmenden edhe dy ish-sekretarë të përgjithshëm, një ish-zëvendësministër, këshilltarë politikë si dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe zyrtarë nga pushteti lokal.

Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale, Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete, për dhënie të privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme për personat të cilët kanë konkuruar në funksione të rëndësishme.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, problem për të cilin një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit, mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte njoftuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta të interesit, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG