Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova ka bërë thirrje që nesër deputetët të votojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Ajo pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ka mirëpritur marrëveshjen në mes partive politike për të votuar Marrëveshjen për demarkacion.
"Kemi pas dy hapa shumë të rëndësishëm drejt përparimit për çështjen e Demarkacionit. Hapi i parë deklarata e përbashkët në mes të presidentëve dhe hapi dytë marrëveshja në mes të pothuajse të gjitha partive politike gjatë fundjavës", tha Apostolova.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që votimi i Demarkacionit të ndodhë nesër.
"Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit është një hap i rëndësishëm në rrugën e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova ende duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mirëpo ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin na ofron shumë në procesin e liberalizmit të vizave", tha ajo.
Apostolova tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të mendojnë për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian.
Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova nuk do të humbë më raste për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit. Ai u shpreh se qytetarët presin lajme të mira të mërkurën.
“Jemi të orientuar drejt BE-së dhe do të përmbushim çdo kriter. Liberalizimi duhet të ndodhë, në të njëjtën kohë edhe Demarkacioni do të votohet. Qytetarët presin dhe ne do ta sjellim lajmin e mirë nesër duke e votuar marrëveshjen. Kemi bërë shumë për të arritur konsensusin. Kur t'i përmbushim obligimet tona presim përkrahjen e BE-së. Nuk duhet të vonohemi as të humbim raste më tej", tha Veseli.