Ndërlidhjet

Supremja refuzon kërkesat për rinumërim për Prizren e Prishtinë


Kuti votimi
Kuti votimi

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim të votave në Prizren dhe në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së.

Në dy aktvendime, veç e veç, për Prishtinë dhe për Prizrenin, Gjykata Supreme i ka pranuar si të bazuara ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me komunën Prishtinës Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin e PZAP-së, si dhe ka refuzuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të datës 22 nëntor 2017 për rinumërim dhe rivlerësim të fletëvotimeve.

Vendim të ngjashëm Gjykata Supreme ka marrë edhe për komunën e Prizrenit, duke hedhur poshtë vendimin e PZAP-së, si dhe ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës, të datës 20 nëntor 2017, me të cilën është kërkuar rinumërimi i të gjitha votave për kryetar komune në vendvotimet në Komunën e Prizrenit.

Kandidatët për Prishtinën
Kandidatët për Prishtinën

Më herët, gjatë ditës së shtunë, Sami Kurteshi, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, në një konferencë për medie, ka theksuar se më 23 nëntor Lëvizja Vetëvendosje i ka drejtuar kërkesën zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vijimin e numërimit të rregullt të votave me kusht dhe të votave nga mërgata, në QNR.

Ky numërim, sipas Kurteshit, duhet të vazhdojë pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar kundërshtimin e saj në Gjykatën Supreme, që votat për komunën e Prishtinë dhe Prizrenit të rinumërohen, ashtu siç kishte marrë vendim KQZ-ja me kërkesën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ne kërkojmë nga zonja Daka dhe nga KQZ-ja, vazhdimin e numërimit të rregullt për komunat e Prizrenit dhe Prishtinës dhe konsiderojmë që nëse nuk vazhdon numërimi i votave në Prishtinë dhe Prizren, kjo përbën një cenim të integritetit dhe të vullnetit të lirë, të shprehur të qytetarëve, me anën e votave. Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, po ashtu për rinumërim, është kundërshtuar në Gjykatën Supreme dhe Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ankesë në këtë vendim dhe pritet përgjigja për këtë vendim”, ka theksuar Kurteshi.

Këtë kërkesë deputeti Kurteshi e kishte bërë gjatë një konference për medie, ditën e shtunë.

Ndryshon masa ndaj deputetëve Kurti, Kadaj- Bujupi, lirohet Haxhiu

Ndërkohë, Gjykata e Apelit, ka vendosur të shtunën që tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendsoje: Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi dhe Albulena Haxhiu, të cilët ishin arrestuar të premten nga Policia e Kosovës dhe u ishte shqiptuar masa e paraburgimit, t’iu ndërpritet kjo masë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Gjykata e Apelit pasi që ka shqyrtuar ankesat e tre të pandehurve, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit, ka vendosur që ajo masë të ndërpritet dhe të zëvendësohet, dy të parëve: Albin Kurtit dhe Donika Kadaj -Bujupit, masa e paraburgimin me masën e arrestit shtëpiak. Ndërkaq, Albulena Haxhiu është lënë e lirë, në procedurë të rregullt”, ka thënë Jashari.

Më herët, gjatë ditës, në një konferencë, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte theksuar se LVV-ja e akuzon publikisht gjyqtarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Beqir Kalludra, për, siç është shprehur ai, veprën penale, që ndërlidhet me urdhër- arrestin ndaj tre deputetëve të LVV-së, Albin Kurti, Donika Kadaj - Bujupi dhe Albulena Haxhiu.

Këta të fundit, janë arrestuar të premten nga Policia e Kosovës, në bazë të një urdhërarresti, të lëshuar të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe janë dërguar në paraburgim prej 30 ditësh, për shkak se, siç është thënë, të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë gjyqësore.

Kurteshi ka shtuar se tre deputetët e arrestuar të premten, më 22 nëntor i kishin dërguar kërkesën kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për përjashtimin e trupit gjykues, të cilin e kryeson gjykatësi Kalludra, me arsyetimin se ky trup gjykues është i njëjti që i ka dënuar aktivistët e Vetëvendosjes, siç thuhet “për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës pa asnjë provë”.

Sipas tij, pa marrë asnjë përgjigje nga kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjë që specifikohet me Kodin e procedurës penale, gjykatësi Kalludra, pa pritur vendimin e kryetares së Gjykatës Themelore, më 23 nëntor, ka lëshuar fletarrestim për deputetët.

“Nuk ka pasur të drejtë ligjore të marrë asnjë vendim në lidhje me çështjen, pa u marrë një përgjigje nga kryetarja e gjykatës. Veprimi i tillë i gjykatësit Kalludra, përbën një vepër penale, e cila duhet të ndiqet, do të thotë, për përgjegjësi penale, në lidhje me lëshimin e fletarrestit, me gjithë kërkesën me shkrim, të protokoluar, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve tanë për përjashtim të trupit gjykues”, ka thënë Kurteshi.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG