Rreth 1600 persona konsiderohen ende të zhdukur që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë.
Në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, autoritetet shtetërore në Kosovë, Këshilli Organizativ dhe familjarët vendosën lule dhe bën homazhe tek ‘Përmendorja dedikuar personave të zhdukur’, që ndodhet përballë Kuvendit të Kosovës, në Prishtinë.
Aty, familjarët adresuan mesazhe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, duke kërkuar sidomos nga autoritetet shtetërore të angazhohen edhe më tepër për ndriçimin e fatit të tyre.
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, njëherësh kryetar i Qendrës Burime për Personat e Zhdukur tha se adresa e fajit për mungesën e këtyre personave është në Beograd dhe kërkoi si nga autoritetet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare që t’i shtojnë trysnitë mbi Serbinë për të ofruar informata që do të çonin në zbardhjen e fatit të këtyre personave.