Haradinaj: Votuesit na e dhanë besimin
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova e ka dhënë provimin me zgjedhjet e 11 qershorit.
Kurse besimi i votuesve, sipas tij, i është dhënë koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.
Sipas Haradinajt, tash për tash nuk mund të jepen shifra, por siç ka thënë ai, fitorja e këtij koalicioni është mjaftë bindëse.
Shënim i redaksisë: Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende asnjë rezultat zyrtar.
Stavileci: PDK dhe koalicioni i kanë fituar zgjedhjet
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar festën pas mbylljes së vendvotimeve.
Blerand Stavileci nga kjo parti politike ka thënë se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma i ka fituar zgjedhjet dhe se pritet që në orët në vazhdim të organizohet edhe një festë në Prishtinë.
Sidoqoftë, këto janë vetëm parashikime te PDK-së, ngase ende nuk ka asnjë rezuoltat zyrtar.
KQZ: Dalja në zgjedhje mbi 41.38 për qind
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 19:00 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë votuar 41,38 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbi 1 milion e 872 qytetarë kanë pasur të drejtë të votojnë, për të zgjedhur se kush do të qeverisë me vendin.
Mbyllen vendvotimet
Janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Në orën 19 00 janë mbyllur vendvotimet, pos në ato vendvotime ku ka pasur radhë të qytetarëve brenda qendrave të votimit që prisnin për të votuar.