Ndërlidhjet

Thaçi: Vuçiq mund të bëj fushatë, por Kosova do ta ketë ushtrinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Kosova nuk do të konsultohet për interesat e saj strategjike me Serbinë, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente, ai i ka bërë gjatë një takimi me mediat serbe në Çagllavicë, ku ka elaboruar nismat e fundit, me thekës të veçantë, themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Duke u ndërlidhur me kundërshtimet e Beogradit për themelimin e ushtrisë së Kosovës, Thaçi tha se dialogu me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve, por nuk do të përfshijë edhe çështjet e interesave që i takojnë shtetit të Kosovës.

“Vuçiq mund të bëj fushatë në Serbi edhe t’i fitoj zgjedhjet, por ushtria e Kosovës do të themelohet”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ka nënvizuar Thaçi, edhe zhurma politike që po zhvillohet në Serbi rreth pronave publike, është pjesë e fushatave zgjedhore.

“Serbia nuk ka prona në Kosovë. Prona publike është pronë e Kosovës. Kosova ka qenë pjesë e Federatës Jugosllave, por e cila është shpërbërë”, ka thënë ai.

“Serbia nuk është trashëgimtare e ish-Jugosllavisë, është vetëm një nga ish- Republikat e saj. Prona e Kosovës është e shenjtë dhe e paprekshme”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Në këtë bashkëbisedime me mediat serbe, Thaçi është pyetur më së shumti në lidhje me nismën për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak.

Nismën për ushtrinë e Kosovës, Thaçi tha se e ka ndërmarrë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Me ligjin e ri, ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të merr përgjegjësi shtesë, duke i dhënë misionin mbrojtës, ushtarak.

Kjo Forcë, sipas tij, do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, por edhe në funksion të ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Edhe këtë herë, Thaçi ka potencuar se ushtria, i nevojitet Kosovës si një domosdoshmëri, pasi që në rajon po rriten ndikimet dhe kërcënimet e ndryshme.

Ndërkaq, lidhur me përplasjet e nismës së tij me qëndrimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Thaçi ritheksoi se formimi i ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, siç kërkon faktori ndërkombëtar, është bërë i pamundur për shkak të qëndrimeve të Listës Serbe, e cila paraqet vullnetin e politikës së Serbisë karshi Kosovës.

Ndryshimet kushtetuese, mund të bëhen vetëm nëse sigurohet edhe mbështetja e komunitetit pakicë, përkrahje këtë të cilën institucionet e Kosovës nuk e siguruan. Andaj, ai tha se po shkohet me opsionin alternativ, të transformimit të FSK-së në misionin e ri ushtarak, përmes ndryshimit të ligjit.

Ai u ka bërë thirrje publike përfaqësuesve politik serb që të kthehen në institucione.

“Interesat e qytetarëve serb mbrohen brenda institucioneve të Kosovës dhe jo duke i bojkotuar ato”, theksoi Thaçi. Sipas tij, bojkotimi mund të jetë interes i Serbisë, por në asnjë mënyrë edhe interes i popullatës serbe që jeton në Kosovë.

Thaçi tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme të punojnë së bashku me serbët e Kosovës dhe Bashkimin Evropian për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sidoqoftë, shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG