Ndërlidhjet

Kosova afër proceseve gjyqësore për krime lufte


Ilustrim
Ilustrim

Në Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë janë duke u bërë përgatitjet për miratimin e dokumentit kyç, Rregullat e Procedurës dhe Provave, i cili do të hapë rrugën për fillimin e proceseve gjyqësore.

Zëdhënësja e Dhomave të specializuara të Kosovës, Avis Benesh, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht të gjitha përpjekjet janë të fokusuara drejt mbledhjes plenare, e cila do të mbahet gjatë muajit mars, kur edhe pritet miratimi i Rregullores, e cila rregullon udhëheqjen e proceseve gjyqësore në Dhomat e specializuara.

Pa miratimin e këtij dokumenti dhe hyrjes së tij në fuqi, proceset gjyqësore nuk mund të fillojnë, kështu që momentalisht po punojmë për këtë”, ka thënë Benesh.

Në mbledhjen plenare në Hagë do të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët ndërkombëtarë të emëruar, që janë 19 dhe të cilët deri më tash kanë pasur rastin ta komentojnë draftin e Rregullores.

Mbetet që ata të pajtohen për versionin përfundimtar dhe që dokumenti të miratohet. Më pas, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në afat prej 30 ditësh duhet ta konfirmojë se rregullorja është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vetëm pas kësaj, rregullorja mund të hyjë në fuqi dhe atëherë Dhomat mund të fillojnë me proceset gjyqësore. Rregullorja do të jetë mjaft voluminoze dhe ajo në detaje do t’i rregullojë udhëheqjet e procedurave gjyqësore, pra, para gjykimit, gjatë gjykimit, apelin, por hyn edhe më thellë në çështjet e organizimit dhe administrimit të Dhomave të specializuara, gjegjësisht të drejtën e personave gjatë hetimit, arrestimit, paraburgimit, pjesëmarrjes së viktimave dhe të tjetra”, theksoi Benesh.

Gjatë kohës deri sa po bëhen përgatitjet përfundimtare për fillimin e proceseve gjyqësore, në Kosovë edhe më tej po mbretëron pakënaqësia me Gjykatën speciale, të cilin e kanë formuar autoritetet e Kosovës.

Javën e kaluar, në seancën e Kuvendit të Kosovës, është prezantuar kërkesa që përsëri të shqyrtohet dhe ndryshohet Ligji për Dhomat e specializuara dhe Prokurorinë e specializuar.

Marrë parasysh që për ndryshimin e ligjit është paraparë procedura, deputetët kanë refuzuar që të miratojnë kërkesën që për këtë ligj të diskutohet në seancën e radhës, por kanë rekomanduar që kërkesa t’i drejtohet Komisionit parlamentar dhe Kryesisë së Kuvendit, sipas procedurës.

Diskutimin, në bazë të procedurës, e kanë mbështetur partitë në pushtet.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike, Driton Selmanaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se marrë parasysh faktin që Gjykata do t’i trajtojë rastet në të cilat janë të përfshirë njerëzit nga niveli i lartë i institucioneve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të kuptueshme tensionet në vend, para fillimit të punës së Gjykatës.

Megjithatë, ai vlerëson se nismat sporadike, sikurse kërkesa e veteranëve të UÇK-së që Kuvendi sërish ta shqyrtojë Ligjin dhe t’i përfshijë edhe krimet serbe, si dhe nisma e udhëheqësve të Kosovës që të formohet ushtria, më shumë janë “tendencë që t’i dërgohet porosi bashkësisë ndërkombëtare se të vetmit faktor stabiliteti në Kosovë janë ata që eventualisht mund të jenë subjekt i Gjykatës Speciale”.

Më tepër e shoh një tendencë të tyre për të provuar për ta shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare, sesa ndonjë tendencë e cila mund të shkaktojë definitivisht destabilitet ose mund ta shkundë skenën politike të Kosovës. Kosova është e gatshme që të merret me secilën pasojë eventuale që mund të vijë nga Gjykata Speciale”, thotë Selmanaj.

Selmanaj ka shtuar se sa më shumë që ofrohet data e arrestimeve dhe aktakuzave të para, kjo mund të ngjallë tensione. Por, sipas tij, Kosova tashmë e ka kaluar krizën e mundshme që mund ta rrezikojë stabilitetin.

Nuk e besoj këtë që mund të ndodhë. Njerëzit në Kosovë tashmë e kanë kuptuar që përgjegjësia individuale e njerëzve, çfarëdo natyre qofshin ata, në çfarëdo pozite qofshin ata, është tërësisht individuale, dhe si i tillë duhet trajtuar. Nuk gjykohet në Gjykatën Speciale lufta e UÇK-së, nuk gjykohet Kosova. Gjykohen individë, të cilët dyshohet eventualisht se kanë bërë krime eventuale. Unë mendoj që Gjykata Speciale do ta pastronte, një herë e përgjithmonë, gjithë atë dyshim që është ngritur që nga paslufta, rreth involvimit të njerëzve të rëndësishëm të skenës politike të Kosovës në krime të rënda”.

Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ka miratuar legjislacionin e plotë për formimin e Gjykatës Speciale, pas një debati të ashpër ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të merret me hetimin e krimeve të cilat “pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë bërë mbi pakicat etnike dhe rivalët politikë” që nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000 dhe të cilat, senatori Dick Marty i ka theksuar në raportin e tij para Këshillit të Evropës. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG