Ndërlidhjet

Projektligji për FSK-në fiton kohë shtesë për konsultime me NATO-n


Projektligji i iniciuar niga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë ushtarake, i është proceduar qeverisë për shqyrtim.

Vendimi që Projektligji t’i dërgohet qeverisë, është marrë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Ky vendim i kryesisë, është parë edhe si blerje e kohës, për t’i vazhduar disa konsultime me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare si dhe për t’i ulur tensionet e krijuara brenda koalicionit qeverisës.

NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë kanë dalë hapur kundër nismës për shndërrimin e njëanshëm të FSK-së në ushtri.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha mbështetja ndërkombëtare ishte dhe mbetet esenciale për institucionet e Kosovës.

“Çdo akt të cilin e kemi ndërmarrë këto 18 vite është kontinuitet i partneritetit të fuqishëm me bashkësinë ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, obligimet tona politike e institucionale janë shumë të qarta – të ecim drejt forcimit të këtij sovraniteti dhe partneriteti”, ka thënë Veseli.

Procedimi i Projektligjit për FSK-në nga presidenti Hashim Thaçi, ka nxitur reagime edhe të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përveç faktit se Thaçi mori në duar një propozim që ishte pritur të procedohej nga ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, i cili takon LDK-së, brengë tjetër e kësaj partie politike mbetet sigurimi i mbështetjes ndërkombëtare.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se LDK e mbështet Projektligjin, por ka shprehur rezerva nëse është bërë bashkërendimi me NATO-n dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Ne duke besuar, në këtë rast presidenti, t’i ketë sqaruar çështjet dhe këto hapa i bën në partneritet strategjik ndërkombëtar, ngase ne si LDK, por edhe s’mund të gjeni një deputet, përveç atyre të Listës Serbe, që nuk e mbështet këtë transformim”, ka thënë Beqiri.

Shndërrimi i FSK-së në forcë të armatosur, me përgjegjësi mbrojtëse e ushtarake, është mbështetur në parim nga opozita.

Lëvizja Vetëvendosje, në parim e mbështet rolin dhe misionin e ri të FSK-së, por para se të shpreh përkrahjen për Projektligjin, deputetja e këtij subjekti politik, Aida Dërguti tha se duhet të lexohet dhe analizohet Projektligji i propozuar.

“Ne sapo e pamë këtë projektligj. Në parim ne do ta mbështesim, por do ta shqyrtojmë ndërkohë”, ka thënë Dërguti.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i Grupit Parlamentar, Pal Lekaj tha se të gjitha subjektet politike kanë qenë në favor të transformimit të FSK-së në ushtri përmes Kushtetutës, por për shkak të refuzimit të Listës Serbe, tani zgjidhje mbetet shndërrimi përmes ligjit.

Nuk është me rëndësi emri, por përmbajtja e Projektligjit, ka thënë Lekaj.

“Ne si Aleancë jemi për ushtri të Kosovës dhe për neve është me rëndësi përmbajtja dhe fuqia apo ndryshimi i misionit komplet të FSK-së, në mënyrë që të jenë në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit”, ka theksuar Lekaj.

Sipas procedurave, qeveria duhet të kthej Projektligjin në Kuvend me komentet apo rekomandimet në afatin prej një muaji. Pasi të përmbyllen procedurat e nevojshme, ai më pas vendoset për shqyrtim dhe votim në Kuvend, ndonëse pas reagimeve të para ndërkombëtare, mbetet e paqartë nëse institucionet e Kosovës do të votojnë njëanshëm themelimin e ushtrisë, pa një koordinim dhe përkrahje të plotë nga NATO. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG