Ndërlidhjet

Kanceri i gjirit, ndër sëmundjet më të shpeshta tek gratë


Gjatë vitit 2016 kanë qenë gjithsej 260 raste të reja të grave të prekura me kancer të gjirit.

Ndërkaq, numri i të prekurve me sëmundjen e kancerit në përgjithësi, sipas profesionistëve shëndetësorë të kësaj fushe, ka arritur në 1234.

Kjo paraqet një rritje prej rreth 50 për qind, krahasuar me një vit paraprak.

Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se me gjithë numrin e grave të prekura nga kjo sëmundje, fushatat vetëdijesuese kanë ndikuar pozitivisht që kanceri i gjirit të identifikohet në fazat e para, çka e bën më të lehtë shërimin.

“Kjo rritje nuk paraqet rritje reale, por shtim të raportimit dhe është e barabartë me rritjen në vendet e rajonit. Mendoj se sensibilizimi ka dhënë efektin e vet që njerëzit të paraqiten më shpejtë dhe të rritet numri i rasteve të raportuara”, ka thënë Hyseni.

Furnizimi me barna, paraqitet si sfidë për shumë sëmundje në Kosovë, përfshirë edhe ato të kancerit. Hyseni thotë se në përgjithësi, kishte furnizim me barna për këtë sëmundje.

“Sa i përket furnizimit, kemi qenë diku rreth 90 për qind të furnizuar me barna gjatë vitit 2016. Derisa këtë vit ka filluar furnizimi dhe mendoj se do të kemi një vit relativisht të mirë”, ka thënë ai.

Ndryshe, në Kosovë në vitin 2015, është vënë në shërbim të grave mamografi mobil, përmes së cilit gratë mund të bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Ka qenë grupi i grave deputete që ka iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës.

Ardian Biçaku, koordinatori për mamografin mobil ka deklaruar se vetëm gjatë vitit 2016, përmes këtij mamografi janë zbuluar rreth 50 raste me kancer në gji.

“Mbi 2900 ekzaminime mamografike janë kryer në vitin 2016. Jemi stabilizuar duke marrë staf të mjaftueshëm, e që kemi pasur vështirësi në fillim. Problemet me të cilat jemi ballafaquar gjatë këtij viti kanë qenë të lidhura me motin, por shpresojmë se sapo të përmirësohet moti, të vazhdojmë me vendet rurale në mënyrë që të vazhdojnë kontrollet e grave”, ka thënë Bicaku.

Në funksion të luftimit të kësaj sëmundjeje, janë zhvilluar edhe shumë fushata vetëdijesuese. Ato, besohet se kanë ndikuar që numri i grave që bëjnë kontrolle të gjirit të rritet. Kështu thotë Nafije Latifi, nga Qendra Kosovare për luftimin e kancerit “Jeta Vita”.

“Në Qendrën Kosovare për luftimin e kancerit të gjirit, kemi pasur vetëdijesimin e popullatës për sëmundjen e kancerit të gjirit. Për ta arritur këtë, kemi përdorur mënyra të ndryshme si ‘workshope’ (punëtori), broshura, promo televizive e shumë forma tjera. Në këtë mënyrë kemi arritur që të përcjellim mesazhin tonë dhe të informojmë gratë për rrezikun e kancerit të gjirit e që është sëmundja e dytë për nga llojet e sëmundjeve të kancerit”.

“Statistikat qëndrojnë sikur në vendet e rajonit dhe me fushata mund të them se kemi arritur që në një nga klinikat private të bëhet mamografia falas për gratë, ku janë paraqitur 500 gra për dy ditë”, ka thënë Latifi.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, tashmë ka deklaruar disa herë se ndonëse për trajtimin e sëmundjes së kancerit në Kosovë kërkohen rreth 9 milionë euro në vit, institucioni që ai udhëheq, ka ndarë 5 milionë euro për këtë sëmundje, në mungesë buxheti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG