Qeveria e Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, për tri vitet e fundit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovica e veriut, ka investuar miliona euro.
Nga viti 2014 deri në vitin 2016, investimet nga Qeveria e Kosovës në këto katër komuna janë mbi 15 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 janë ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për këto katër komuna të banuara me shumicë serbe.
Investimet e Qeverisë së Kosovës, kryesisht janë bërë në ndërtimin e rrugëve, ndriçimin publik, renovimin e objekteve publike, në arsim, shëndetësi dhe fushat tjera.
Të dhënat për investimet e Qeverisë së Kosovës për katër komunat e banuara me shumicë serbe i ka bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj.
Ai thekson se është punuar dhe investuar në integrimin e serbëve të Kosovës, por që ende mbetet punë për tu bërë, pasi që në komunat veriore ende ka struktura paralele.
“Për herë të parë, në vitin 2013, janë organizuar zgjedhjet lokale në katër komunat veriore, të cilat deri atëherë nuk kanë qenë të integruara në sistemin tonë. Pra, ato komuna tani janë të integruara, por ende ka punë për tu bërë. Ne besojmë se është bërë punë e madhe, ne kemi në kontroll doganat e Kosovës, Policia e Kosovës është prezente në veriun e Kosovës dhe ata janë në zinxhirin komandues të Republikës së Kosovës”, thotë Geacaj.
Ndërkohë, investime në këto katër komuna të banuara me shumicë serbe janë bërë edhe nga Qeveria e Serbisë.
Sipas disa dokumenteve të publikuara, përfshirë edhe ato në media, thuhet se në dy vitet e fundit në këto katër komuna, Serbia ka investuar mbi 200 milionë euro, derisa për vitin 2017 ka planifikuar të investojë mbi 100 milionë euro.
Investimin më të madh, sipas deklaratave zyrtare, Serbia e ka bërë në përmirësimin e përgjithshëm të jetesës së serbëve në këto komuna dhe në procesin arsimor.
Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur investime të shumta që janë bërë në katër komunat veriore, si nga institucionet e Kosovës ashtu edhe nga Qeveria e Serbisë.
Megjithatë, ai thekson se në raste të caktuara ato investime edhe janë keqpërdoruar nga individë të caktuar dhe më së paku përfitime kanë pasur banorët e pjesën veriore të Kosovës.
"Nëse e marrim vetëm periudhën prej vitit 1999 ose dhe 2000 e deri në shpalljen e pavarësisë, kur Kosova kishte institucionet e saj të përkohshme dhe njëkohësisht kishte edhe investime nga bashkësia ndërkombëtare, pjesa veriore e Kosovës kishte me siguri më shumë se 50 për qind të investimeve nga institucionet e Kosovës se sa kishte investime të përgjithshme në pjesën tjetër të Kosovës”, ka theksuar Nojkiq.
“Kishte mjete të mëdha të investuara dhe atëherë përfaqësuesit e serbëve në institucionet e atëhershme i morën ato mjete dhe ato jo gjithmonë janë shpenzuar si duhet”, ka thënë Nojkiq.
Këto mjete në raste të caktuara, shton Nojkiq janë keqpërdoruar.
Siç thotë ai, ka “patur raste kur për të njëjtin projekt është investuar nga dy burime: njëri nga institucionet e Kosovës, në fakt nga bashkësia ndërkombëtare përmes institucioneve të Kosovës dhe burimi i dytë ishin institucionet e Serbisë”.
“Kjo është periudha që zgjati deri më 2015/2016, kur tani zyrtarët nga Beogradi provojnë që ato institucione që janë në veri të Kosovës t’i fusin nën ingerencat e tyre. Por edhe më tutje, institucionet nga Prishtina, kur bëhet fjalë për institucionet e vetëqeverisjes lokale, por edhe pjesërisht arsimi dhe shëndetësia, i financojnë”, thekson Nojkiq.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës që nga viti 2013, në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd ndajnë edhe një përqindje të të hyrave nga dy pikat doganore në veri, për Fondin Zhvillimor për Mirëbesim për komunat në veri.
Ky fond ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe social dhe integrimi i serbëve të pjesës veriore në ekonomi, shoqëri dhe në përgjithësi përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve në atë pjesë.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se deri më tash në këtë fond janë grumbulluar mbi 11 milionë euro.
“Ato fonde që mblidhen në pikat doganore shkojnë në këtë fond dhe këto mjete pavarësisht a shpenzohen, mbesin si fonde të mirëbesimit dhe me Ligjin për buxhet përcaktohet një shumë që mund të shpenzohet. Në këtë vit, sipas Ligjit për buxhet nga këto 11 milionë euro mund të shpenzohen 4 milionë euro, por që në rast se i shpenzojnë mund të rritet kjo shumë në kohën kur bëhen rishikimi i buxhetit”, ka sqaruar Krasniqi.
Pjesa veriore e Kosovës, që nga pas lufta ka funksionuar mbi bazën e një sistemi paralel të organizuar nga Beogradi.
Në kuadër të dialogut të Brukselit, Prishtina dhe Beogradi patën arritur marrëveshje për integrimin e kësaj pjese në kuadër të sistemit ligjor-kushtetues të Kosovës, ku investimet përbënin një element të rëndësishëm, krahas zgjedhjeve të lira, ndonëse ky proces integrues mbetet ende në vijim e sipër.
Facebook Forum