Ndërlidhjet

Fletë-arrestet e Serbisë, riaktualizojnë nevojën e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL


Kosova ka adresuar te faktori ndërkombëtar çështjen e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia ndaj qytetarëve të saj, por ka mundur të bëjë pak në këtë drejtim, ngase nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare të sigurisë.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për faktin që Kosova nuk është anëtare e organizatës ndërkombëtare INTERPOL, çështja e fletë-arrestimeve të lëshuara nga Serbia, po paraqet probleme edhe më të mëdha.

“Ajo që është bërë dhe duhet të bëhet në vazhdimësi nga ana e institucioneve të Kosovës është që këto çështje të adresohen në institucionet ndërkombëtare. Një element që po shfaqet në këtë rast është të mos qenit e Kosovës anëtare në disa organizata ndërkombëtare, siç është INTERPOL-i. Andaj situatat e tilla e bëjnë akoma më të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në këto organizata”, tha Myrtezaj.

Të mërkurën, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është ndaluar nga policia franceze në Bazel në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Ndalimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze, nuk është veprimi i vetëm, pasi që ndalime të tilla të personave të kërkuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, ka pasur edhe në të kaluarën.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj thotë se ndalimet e tilla janë të papranueshme për autoritetet e vendit.

“Qëllimi kryesor apo përpjekje e vazhdueshme e Serbisë është destabilizimi i Kosovës dhe krijimin e pengesave tëlëvizjes së lirë të qytetarëve të cilët kanë edhe aktivitet politik në kapacitet të ndryshme në Kosovë. Sidoqoftë me gjithë problematikat që mund ti shkaktojnë, asnjëherë këto tendenca të Serbisë nuk do ta kenë efektin që dëshiron ta ketë Serbia”, thekson Murtezaj.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që çështjet e fletë-arrestimeve të sqarohen dhe të merren masa konkrete lidhur më këtë çështje.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se autoritet e Kosovës janë treguar të pafta që t’i mbrojnëqytetarët e vendit në këso raste.

“Është e papranueshme, si realitet i cili përsëritet në mënyrë të vazhdueshme, ku Kosova me një rol pasiv ka dështuar t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të vet në raport me krimet që janë kryer në Kosovë”, thotë Miftaraj.

Sipas tij, Kosova në bazë të kornizës ligjore që ka aktualisht i ka të gjitha të drejtat që t’i hetojë dhe të lëshojë fletë - arreste ndërkombëtare kundër të gjithë atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Miftaraj shton se një pikë tjetër që nuk është shfrytëzuar sa duhet nga Kosova janë bisedimet në Bruksel.

“Tanimë në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel nga 10 janari pritet që Kosova ta ushtrojë funksionalitetin edhe në pjesën veriore, përderisa Serbia në anën tjetër shkelë të drejtën ndërkombëtare duke lëshuar fletë-arreste ndërkombëtare ndaj shtetasve të Kosovës për krimet që janë kryer në territorin e Kosovës”, thekson Miftaraj.

Kosova e cila ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008 ende nuk ka arritur të bëhet anëtare e një numri organizatash ndërkombëtare, përfshirë edhe dy mekanizmat e rëndësishëm të sigurisë EUROPOL dhe INTERPOL.

Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL në prill të vitit 2015, por që vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Dy institucionet ndërkombëtare të sigurisë, EUROPOL dhe INTERPOL, janë mekanizmat më të rëndësishëm dhe njëra nga detyrat e tyre shtrihet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në luftimin e krimit, të çdo lloji. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG