Viti 2016 konsiderohet se ishte vit i suksesshëm për sportin e Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e tij. Pranimi një vit më parë, më 2015, i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, kishte hapur rrugën për pranimin e të gjitha federatave sportive në federatat përkatëse botërore.
Por, për shkak të pengesave juridike dhe politike, Kosova ende nuk kishte arritur të bëhet pjesë e familjes evropiane dhe botërore në sportin që konsiderohet më i popullarizuari në botë, futbollit.
Megjithatë, lobimi për disa vite i Federatës së Futbollit të Kosovës, por edhe i faktorëve tjerë relevant që Kosova të bëhej pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të futbollit, u kurorëzua me sukses në muajin maj të vitit 2016.
Më 3 maj, pas aplikimit të Kosovës për t’u pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit UEFA, kjo e fundit, në kongresin e saj që u mbajt ne Budapest, me 28 vota për, me 24 kundër dhe me dy vota të abstenuara, e ka pranuar Kosovën si anëtaren e 55, me të drejta të plota, në këtë federatë.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se futbolli i Kosovës e fitoi betejën e vështirë, duke e quajtur drejtësi të vonuar.
“Për ne, të gjithëve, është një moment historik i arritur me shumë mund. Pra, ne arritëm sot që të bëhemi anëtar i plotë i Federatës Evropiane UEFA. Tash janë rrugët e hapura që , pas nj jave, më 12 dhe 13 (maj) të jemi edhe në FIFA dhe i cili vendim i FIFA-s do të na shpie në kualifikime për kampionatin botëror”, ishte shprehur Vokrri.
Pritjet që i kishte shprehur Vokrri, si dhe të gjithë dashamirët e futbollit të Kosovës, për pranim në Federatën Botërore të Futbollit - FIFA, u bënë realitet më 13 maj, në Kongresin e 66-të të FIFA-s, që është mbajtur në Meksikë. Nga 205 vendet që morën pjesë në procesin e votimit, 141 prej tyre votuan për pranimin e Kosovës në FIFA.
“Ne kemi 86 për qind, pra shumicën, në favor të propozimit për pranim të Kosovës. Urime për Federatën e Futbollit të Kosovës për ardhjen e saj si anëtarja e 210 e FIFA-s”, kishte thënë Markus Kattner, zëvendëssekretar i përgjithshëm i FIFA-s, i cili kishte udhëhequr seancën.
Po atë ditë, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pranimin e Kosovës në FIFA e kishte përshkruar si moment i shënuar për Kosovën dhe futbollin e saj.
“Krejt kjo tregon që është mbivotuar një e padrejtë që i është bërë Kosovës, deri më tani dhe realisht është shpërblyer një drejtësi paksa e vonuar, pasi nuk janë pak 25 vjet në geto”, kishte thënë Ademi.
Pranimi i Kosovës në FIFA, i ka hapur rrugën asaj që të marrë pjesë në garat kualifikuese për botërorin “Rusia 2018”. Ajo i zhvilloi ndeshjet e para në kuadër të Grupit 'I', ku janë Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda.
Ndeshjen e parë debutuese, më 5 shtator, Kosova e luajti me Finlandën, me rezultat të barabartë, nga i cili përfitoi një pikë.
Më 7 tetor, përfaqësuesja e Kosovës u takua me Kroacinë, më 9 tetor me Ukrainën dhe më 12 nëntor, me Turqinë. Të tri këto takime, Kosova i mbylli me humbje.
Megjithatë, garat kualifikuese do të vazhdojnë edhe më tej.
Në anën tjetër, sportistët e Kosovës, në vitin 2015, kanë shënuar pjesëmarrjen e parë në olimpiadë. Në lojërat olimpike verore, të cilat nisën më 5 gusht në Rio de Janeiro të Brazilit, Kosova u përfaqësua me 8 sportistë.
Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, e pati cilësuar pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në olimpiadën “Rio 2016”, si realizim të ëndrrës së vetë sportistëve.
“Padyshim që pjesëmarrja në këto lojëra olimpike, pjesëmarrja në një olimpiadë, është ëndrra e kamotshme e sportistëve të Kosovës. Tash, në këto lojëra olimpike, historike për ne, unë jam shumë i bindur që para 3 miliardë njerëzve, sa janë pritjet për shikueshmërinë e lojërave olimpike, e tërë bota do t’i shohë sportistët. Përmes sportistëve, do t’i shohin të gjithë shqiptarët e Kosovës”, ishte shprehur Hasani.
Nga Olimpiada “Rio 2016”, xhudistja Majlinda Kelmendi ia solli medaljen e parë të artë olimpike Kosovës, të cilën e fitoi më 7 gusht. Ky moment u cilësua si historik për sportin e vendit.
Xhudistja Kelmendi, e kishte përshkruar me mjaft emocione fitoren e saj.
“I jemi gëzuar aq shumë kësaj medaljeje. Nuk ka para që mund të më bëj të ndihem ashtu siç po ndihem me këtë medalje dhe siç po ndihem me këtë sukses”, kishte thënë xhudistja Kelmendi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Kujtim Shala, në takimin e organizuar për xhudisten Kelmendi dhe olimpistët tjerë të Kosovës, kishte uruar që suksesi i Majlindës të jetë vetëm uverturë në rrugën e sukseseve të ardhshme të sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Unë besoj që ky është fillimi i rezultateve të mëdha të kësaj natyre në skenën ndërkombëtare, botërore, dhe ne presim edhe rezultate tjera”, kishte thënë Shala.
Aktualisht, Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat vendorë të sportit, janë duke bërë përpjekje, përfshirë edhe investimet financiare, që të përmirësojnë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e sporteve, sipas kritereve që kërkohen nga mekanizmat sportivë ndërkombëtarë.(REL)
Facebook Forum