Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka vënë në alarm Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor të Qeverisë së Kosovës, por edhe dikasteret tjera, konfirmojnë zyrtarët të kësaj ministrie.
Zyrtarët e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kanë njoftuar se në dy ditët e fundit në Prishtinë është shënuar ngritje e vlerave të ndotjes së ajrit.
Kufiri i vlerave ditore të lejuara për mbrojtjen e shëndetit të njeriut është 50 miligram për metër kub.
Letafete Latifi, drejtuese e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në dy ditët e fundit, ndenja e ajrit është trefishuar në raport me vlerat e lejuara ditore.
“Është regjistruar vlera maksimle e mesatares ditore, deri më tani, 168.3 mikro gram për metër kub. Do të thotë, gjatë datës 19. 12. 2016 kemi pasur një vlerë që ka qenë maksimumi i të gjitha vlerave të regjistruara, flasim për mesatare ditore, deri më sot”.
Zonja Latifi ka shtruar se nga ngritja aktuale e nivelit të ndotjes së ajrit duhet të kenë kujdes dhe t’i reduktojnë daljet, sidomos grupet e ndjeshme të popullatës, sikurse të moshuarit, peronat që kanë ndjeshmëri nga sëmundjet astmatike, fëmijët, si dhe gratë shtatzëna.
Ferat Shala, ushtrues i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se kjo ministri, pranë saj tashmë ka ngritur një trup profesional dhe shkencor, e cila po punon me të gjithë akterët relevant, shoqërinë civile dhe grupet e ekspertëve shkencorë, për të parë, analizuar dhe vlerësuar gjendjen aktuale të ndotjes së ajrit në Kosovë.
Kjo trupë, sipas zoti Shala, ka nxjerrë rekomandimet e qarta për disa institucione që janë akterë dhe ka kërkuar që problematikat të adresohen dhe të merren masat parandaluese, që kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e burimeve të ndotjes së ajrit
“Në vazhdën e këtij aktiviteti, Task forca ka nxjerr letër zyrtare për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë së Tregtisë dhe Industrisë dhe sot ka nxjerrë letër zyrtare për Pushtetin Lokal, gjegjësisht nivelin komunal. Brenda këtij aktiviteti janë të adresuara problemet e ndotjes, masat që duhet të ndërmerren, zbatueshmëria e legjislacionit aktual dhe atij që duhet të nxirret, si dhe koordinimin e politikave në nivel ndër-sektorial për parandalimin e shkallës së ndotjes së ajrit”.
Zonja Latifi thotë se faktorët që po ndikojnë në ndotjen e ajrit tashmë ka kohë që janë identifikuar, por atyre u është shtuar edhe faktori meteorologjik i ditëve të fundit.
“Në ndotjen e ajrit ose në përqëndrimet e larta në këto ditët e fundit, që janë paraqitur, janë emisionet që dalin nga industritë, nga transporti dhe nga amvisëria. Mirëpo, të gjitha këtyre emisioneve ose përqëndrimeve të larta të emisioneve, i kontribuojnë shumë edhe kushtet meteorologjike që janë duke mbretëruar ditëve të fundit”.
Ushtruesi i detyrës së ministrit Shala, thotë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke bërë maksimumin e mundshëm, në aspektin ligjor dhe në aspektin e koordinimit ndërinstitucional, lidhur me parandalimin e ndotjes së ajrit.
Por, sipas tij, një pjesë e legjislacionit, që ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit, që nënkupton edhe parandalimin e ndotjes së ajrit, nuk është duke u zbatuar ashtu siç kërkohet.
“Veçanërisht është pak e ndjeshme çështja e ekonomive familjare, që në këtë kohë, veçanërisht në kryeqytet, janë ndër buruesit e ndotjes, burime të ndotjes, për shkak të temperaturave, për shkak të situatës stinore, për shkak t kushteve klimatike".
"Ekonomia familjare është më vështirë e kontrollueshme, për shkak të djegieve të lëndëve joadekuate, si dhe bizneset e vogla. Përndryshe, pjesa tjetër, siç janë automjetet, tashmë janë adresuar problemet, kemi kërkuar masat shtesë dhe po presim nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Zhvillimit, si dhe e Pushtetit Lokal, që të veprojnë”.
Shala ka shtuar se megjithatë, Kosova nuk është vendi me ajrin më të ndotur në Evropë. Sipas tij edhe në disa nga vendet e Bashkimit Evropian, niveli i ndotjes së ajrit është afërsisht i ngjashëm me atë të Kosovës.
Ditë më parë, ekspertët e shëndetësisë në Kosovë, kanë theksuar se numri i të sëmurëve nga mjedisi i ndotur është shtuar, në veçanti në muajin e fundit, duke nënvizuar problemet e shtuara me mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore. (REL)
Facebook Forum