Ndërlidhjet

Jeta e ‘mohuar’ e transgjinorëve në Kosovë


Foto nga marshi kundër homofobisë
Foto nga marshi kundër homofobisë

Në një mjedis krejtësisht jo miqësor për pjesëtarët e komuniteteve me orientime të ndryshme seksuale, jeta e tyre në Kosovë bëhet veçanërisht e vështirë.

Problemet e këtyre njerëzve bëhen të mëdha e ne veçanti për transgjinorët, që në rrethanat në të cilat jetojnë janë plotësisht të margjinalizuar dhe të përjashtuar nga shoqëria.

Një qytetare, që deshi të mbetet anonime, e lindur transgjinore, në bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se asnjëherë nuk e ka ndjerë veten vajzë që prej lindjes, sado që problemi më i madh mbetet fshehja e një realiteti të tillë prej rrethit ku jeton.

Për të, jeta si një transgjinore në shoqërinë e mbyllur të Kosovës është edhe e rëndë edhe shqetësuese.

"Sfida që përballet më së shumti komuniteti transgjinor është mospranimi. Duke u nisur nga familja, shoqëria , institucionet. Ndonëse që nga viti 2015 me ligj është futur në mbrojtje, por implementimi i ligjit has në ngecje".

"Nevojat e komunitetit transgjinor janë të ndryshme prej komunitetit homoseksual, biseksual e lezbike. Ne duhet të bashkëpunojmë me institucione si me ato shëndetësore, qendra për mirëqenien sociale, por që fatkeqësisht është sfidë, pasi që mos informimi i tyre në bazë të hulumtimeve që janë bërë, ka bërë që ne të refuzohemi. Mungesa e njohurive ka qenë e madhe nga ana e mjekëve", ka thënë ajo.

Dëshira e saj për ta jetuar jetën si një mashkull, pavarësisht gjinisë me të cilën ka lindur, mbetet një sfidë e madhe. Ndërrimi i gjinisë përmes ndërhyrjes kirurgjikale është pothuajse e pamundur të realizohet.

"Ka shumë individë që dëshirojnë të fillojnë procedurat e tranzicionit, por Kosova nuk ofron infrastrukturë që këto procedura të bëhen këtu. Për tranzicion kërkohet mund shumë i madh dhe kërkohet qasje në disa fusha, duke u nisur nga psikiatri, kirurgu, gjinekologu. Shumë mjekë në bazë të hulumtimeve që ne kemi bërë, nuk e kanë ditur as çka është transgjinor".

Kosova nuk ka arritur ende që të krijojë statistika për komunitetet e margjinalizuara, e në veçanti për ato që kanë orientime të ndryshme seksuale.

Vlerësohet se në botë rreth 20 për qind e popullatës së përgjithshme ka tendenca të orientimit homoseksual, lesbik, biseksual apo transgjinor.

Sociologia Linda Gusia, thotë se ndonëse i gjithë komuniteti LGBTI përballet me sfida, për transgjinorët mbetet tash për tash më së vështiri të jetohet në Kosovë.

"Mendoj se për transgjinorët githmonë ka qenë më së vështiri. Edhe në shoqëri tjera si në Amerikë, p.sh dhuna është më e shprehur ndaj transgjinorëve. Raporti shpërfaq paragjykime edhe tek personeli mjekësor ndoshta kjo është diçka që ishte dashur të ndryshohet dhe të intervenohet në këtë aspekt, pasi edhe persona që nuk guxojnë të bëjnë diskrimine të tilla, i shprehin më fuqishëm diskriminimet. Mendoj se ishte dashur të sanksionohet".

"Mendoj se sistemi shëndetësor në përgjithësi nuk është në nivel të kënaqshëm, por sidomos kur bëhet fjalë për transgjinorët është diçka më e komplikuar’’, ka thënë Gusia.

Nita Luci, aktiviste e të drejtave të njeriut, barazi gjinore dhe komunitetin LGBTI, si dhe ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ndonëse viteve të fundit vërehet që ka një mbështetje më të madhe të komunitetit LGBTI, sfidat për ta po vazhdojnë.

"Prej anës institucionale janë përdorur mundësitë që komuniteti ta fuqizojë veten në atë aspekt. Por, mbetet ana e trajtimit më të mirë nga shoqëria e gjerë e cila mbetet shumë jo tolerante, por edhe të padijshëm për nevojat dhe kërkesat që komunitetet i kanë. Për shembull, në një koment një mjek ka shkruar se edhe nëse do të ishte për fëmiun tim, që do t’i përkiste komunitetit LGBTI, unë nuk do ta përkrahja, dhe kjo mendoj që flet mjaft".

Por, pavarësisht mbylljes së shoqërisë dhe rrethanave në të cilat jetojnë qytetarët në Kosovë, për herë të parë në Prishtinë, më 17 Maj të vitit të kaluar është mbajtur një marsh simbolik kundër homofobisë, duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.

Organizatat që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë, thonë se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë plane të veprimit për të promovuar respektin dhe integrimin e këtij komuniteti, nisur nga garancitë që janë dhënë për një gjë të këtillë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse Kosova ka shënuar përparime për komunitetin LGBTI, nuk duhet të jemi të kënaqur me atë çka është arritur. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG