Në gjithë botën sot shënohet Dita Ndërkombëtare e SIDA-s, e cila shihet si një mundësi për njerëzit që të bashkohen në luftën kundër virusit HIV.
Ky virus vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik, edhe pse numri i njerëzve që kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in është përgjysmuar – nga dy milionë në vitin 2006 në 1.1 milion më 2015.
Shumica e njerëzve të prekur me HIV jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose të mesme.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova numëron rreth 100 persona të prekur nga kjo sëmundje, që nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë.
HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.