Ndërlidhjet

Zbatimi i marrëveshjes për gjykatat në veri i varur nga ligjet e Serbisë


Veriu i Mitrovicës, arkiv
Veriu i Mitrovicës, arkiv

Bisedimet në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për çështjet e drejtësisë, kanë qenë të frytshme dhe ato do të vazhdojnë edhe më tej gjatë ditës së mërkurë, kanë deklaruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për dialogun.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, përmes një komunikate për medie ka thënë se të në bisedimet në Bruksel është arritur shumë afër “përcaktimit të datës finale për vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë edhe në pjesën veriore të shtetit të Kosovës, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit”.

Gjithashtu është thënë që Kosova ka përmbyllur me sukses procesin e rekrutimit të stafit gjyqësor dhe prokurorial sipas ligjeve të Kosovës.

Megjithatë, në anën tjetër, gjykatësit dhe prokurorët serbë që do të integrohen dhe punojnë në kuadër të sistemit të drejtësisë të Kosovës, janë duke pritur ndryshimin e legjislacionit në Serbi, që do të zgjidhte statusin e tyre para integrimit, gjegjësisht që t’ua mundësojë përfitimin e pensionit të rregullt nga Republika e Serbisë.

Një ligj i tillë ende nuk është miratuar. Ndërkohë, gjykatësit dhe prokurorët serbë që presin të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës, thonë se ende nuk kanë informata lidhur me funksionalizimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Jelena Krivokapiq, gjykatëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se gjykata nuk mund ta fillojë punën si e integruar në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, para se gjykatësit serbë të jenë të kënaqur me zgjidhjen e statusit të tyre nga Serbia.

“Drejtësia është institucion dhe ajo nuk mund të jetë mall dhe të tregtohet me të. Nuk mund të jetë diçka që shkëmbehet në treg. Por, për momentin është kështu. Ne, gjykatësit, e shohim këtë dhe na pengon. Por, jemi të pafuqishëm që të reagojmë në çfarëdo mënyre ose që eventualisht të mos e pranojmë një marrëveshje të tillë, që nuk na konvenon".

"Për këtë, me siguri që nuk do të na brejë ndërgjegjja, sepse gjatë gjithë këtyre viteve që po bisedohet, nuk na ka komunikuar asgjë, nuk na kanë pyetur askush asgjë dhe nuk e kanë kërkuar mendimin tonë, pavarësisht që ne i kemi dy përfaqësues atje”, tha Krivokapiq.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqri Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se për sa i përket Prokurorisë dhe Këshillit të Prokurorisë së Kosovës, janë ndërmarrë të gjitha masat që integrimi i kolegëve serbë të bëhet sa më shpejt.

“Unë shpresoj që integrimi të vijë shpejt, për arsye se edhe në Bruksel u është bërë presion palëve që ky integrim të arrihet sa më shpejt. Pres shumë nga integrimi, sepse me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor në veri të Kosovës, kriminaliteti ka qenë gjithnjë në rritje e sipër".

"Me vet faktin që ne do të paraqitemi në pjesën veriore, do të ndikojë shumë në rënien e kriminalitetit, por edhe në luftimin e dukurive tjera negative. Na pret shumë punë dhe unë shpresoj që integrimi do të bëhet shpejt. Shpresoj që në janar të integrohemi dhe të punojmë së bashku”, ka thënë Syla.

Por, Dushan Radakoviq nga Qendra për përfaqësimin e kulturës demokratike (ACDC), thotë se integrimi në sistemin e drejtësisë nuk po bëhet sipas planit. Ai shpreh mendimin që janari nuk është afat real për fillimin e punës së gjyqësisë.

“Unë mendoj që një gjë e tillë është pazbatueshme, sepse, në qoftë se pensionet janë të garantuara edhe me pensionet ligjore, atëherë do të duhej të ndryshonte Kushtetuta e Serbisë dhe ligji për pensionet i Serbisë. Një gjë e tillë jonormale të bëhet për një vit apo së paku për gjashtë muaj, e jo për një muaj. Kështu që do të ketë ndonjë vendim shpejt e shpejt, sikurse ka ndodhur deri më tash ose do të bëhet krejtësisht diçka tjetër”, ka thënë Radakoviq .

Ai ka shtuar se problemi më i madh do të jetë që gjykata të jetë funksionale që ditën e parë kur do ta fillojë punën dhe se do të ishte në dëm të qytetarëve që nën presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, gjykata të hapet shpejt e shpejt.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi “mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës, ku një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale do të fillojnë së shpejti funksionimin në rajonin e Mitrovicës”. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG