Ndërlidhjet

Mihjet për thëngjill detyrojnë banorët të zhvendosen


Zhvendosjet në komunën e Obiliqit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Banorët e katër lagjeve të fshatit Shipitullë, të Komunës së Obiliqit, pritet t’i nënshtrohen procesit të zhvendosjes, ngase shtrihen në afërsi të mihjeve sipërfaqësore të thëngjillit që shfrytëzohen nga termocentralet “Kosova A” dhe Kosova B”.

Paraprakisht qenë zhvendosur mbi 270 familjeve nga fshati Hade, po nga Komuna e Obiliqit.

Tash për tash, sipas dinamikës së paraparë, janë banorët e fshatit Shipitullë, konkretisht lagjet Berbatovci, Krasniqi, Mirena dhe Mjekiqi, që do t’i nënshtrohen zhvendosjes, sipas një plani të ardhshëm gjashtë mujor.

Por, banorët e këtyre lagjeve thonë se janë të pakënaqur me kushtet që u janë ofruar për zhvendosje.

Andrijon Mirena, së bashku me tre vëllezërit e tij, kanë në pronësi një sipërfaqe prej 50 ari tokë. Ai thotë se ende nuk është bërë vlerësimi i pasurisë së tij, pasi nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Mirena thotë se po e vazhdon jetën normalisht dhe do të preferonte të vazhdonte të jetonte në këtë zonë. E nëse institucioneve u nevojitet prona e tij, atëherë, ai thotë se duhet t’i plotësojnë kushtet.

“Unë këtu ku jetoj, ka qenë arë. Në fletën poseduese figuron si arë. Ndërkaq ata (KEK) thonë se do të paguajnë vetëm si arë (fushë) dhe jo si truall. Unë kam jetuar këtu edhe para luftës. Prandaj dua kompensim truall për truall", ka thënë Mirena.

"Shkurt, jam i kënaqur këtu. Nëse nuk është interes i shtetit, mos të më largojnë. Le të më lejnë të jetoj ku ka jetuar babai dhe gjyshi”, thotë ai.

Mirena tregon tutje se KEK-u ua vlerëson atyre për kompensim një ari tokë nga 400 deri në 450 euro. Por, sipas tij, vlera që e kërkojnë banorët është shumë më e madhe. Po ashtu, ai nuk i beson as premtimit se në kuadër të kompensimit do të përfshihet edhe punësimi i këtyre banorëve në KEK.

Një banor tjetër i kësaj lagjeje, Halim Mirena, rreth 70 vjeç, thotë së banorët nuk po e kundërshtojnë zhvendosjen, por mënyrën e kompensimit, e cila sipas tij është tepër e ulët.

“Ne nuk jemi kundër shtetit e të mos e marrim tokën. Por, pse nuk e bëjnë vlerën saktë? Shtëpia ime kushton 20 mijë euro. Veç të ma vlerësojnë sa kam mall këtu, që të kompensohet edhe atje. Nëse këtu i kam 50 mijë euro, atje nuk i marr as 25 mijë euro. Na kanë thënë të dalim në Orlloviq ( Shkabaj)“, ka thënë ky banor.

Shpronsimet dhe zhvendosjet nga këto zona kanë nisur që nga viti 2002. Fillimisht, ato kanë nisur nga institucionet e atëhershme të përkohshme, dhe më pastaj kanë vazhduar edhe nga Qeveria e Kosovës më 2009, kur edhe është shpallur Zonë e Interesit të veçantë ekonomik.

Për shkak të mihjeve që zhvillohen aty, në kërkim të rezervave të thëngjillit, kjo zonë në një sipërfaqe prej 143 metra katrorë është shpallur e rrezikshme për banim.

Korporata Energjetike e Kosovës aktualisht është fokusuar në dy projekte të zhvendosjes, ku përfshihen 52 hektarë dhe mbi 100 shtëpi në lagjet Bërbatovci, Krasniqi, Mirena dhe Mjekiqi të fshatit Shipitullë.

Me gjithë pakënaqësitë e banorëve, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës, theksojnë se kompensimi realizohet sipas çmimit të tregut.

Skënder Bucolli, drejtor i zyrës Ekzekutive për Marrëdhënie më publikun, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga viti 2002 deri në vitin 2013, nga fshatin Hade janë larguar rreth 127 familje dhe janë shpronësuar 156 hektarë.

Kurse, sipas tij, vlera e paguar për këtë tokë është mbi 15 milionë euro, kurse për familjet në emergjencë kanë qenë 259 mijë euro.

Aktualisht KEK është përqendruar në shpronësimin e 52 hektarëve në fshatin Shipitullë.

“Nëse shkohet sipas projektit, mendoj se këta duhet të largohen për gjashtë muaj, pasi kjo shkon me radhë. Pra, 52 hektarë. Disa lagje, kanë pranuar dhe kanë bërë regjistrimin, por një lagje për shkak të ndërtimit ka bllokuar procesin”.

“Tash kemi edhe humbje. Është dashur të ndalet puna e tre eskavatorëve. Më parë ka qenë distanca 100 metra me ligj (për lejimin e punimeve të mihjes), kurse tash është krijuar largësia 250 metra. Na tash në djerrina i kemi ndalur tre eskavatorë për punë”, ka thënë Bucolli.

Këto zona të mihjes, sipas zyrtarëve të KEK-ut, nevojiten vetëm për plotësimin e nevojave për furnizim me thëngjill për termocentralet ekzistuese, ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’.

Ndërkaq, nëse fillon ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, atëherë autoritetet qeveritare, parashohin të marrin edhe sipërfaqe tjera në të ardhmen.

Në anë tjetër, zyrtarë të Komunës se Obiliqit, pohojnë se banorët në këto hapësira kanë mbetur në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Por, theksohet se edhe ata të cilat janë dislokuar, jetojnë në kushte të rënda.

Arben Berisha, drejtor në Drejtorinë për Mbrojtjen e Mjedisit, fajëson institucionet shtetërore për gjendjen e rëndë të jetesës së këtyre banorëve.

“Ata që kanë mbetur janë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Kanë mbetur afër mihjes, kanë mbetur të pra trajtuar, pa ujësjellës, pa rrugë, për arsye se komuna nuk ka mundur të bëjë investime për shkak të dislokimit të tyre”.

“Ndërsa këta që kanë dalë (zhvendosur), janë dislokuar në gjendjen më të keqe të mundshme që ka mundur të bëjë një shtet. Këtë e ka bërë qeveria dhe që nga atëherë nuk e kanë rregulluar as infrastrukturën rrugore, nëntokësore e as mbi tokësore”, ka thënë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Për më gjatë se një dekadë, banorët që jetojnë afër termocentraleve të KEK-ut, prodhimi i të cilave varet nga thëngjilli, jetojnë në një ambient të kontaminuar nga pluhuri, ndotjet industriale, zhurma dhe problemet e vazhdueshme me zhvendosjen. Por, investimet në objekte ndërtimore kanë vazhduar dhe vazhdojnë ende. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG