Pas mospajtimeve të shprehura dhe disa ndryshimeve të bëra, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është pajtuar që të procedohet tutje me Projektligjin për Buxhetin e vitit 2017.
Ky Projektligj është shqyrtuar në Komisionin parlamentar për buxhet dhe financa ku, me gjithë vërejtjet e shumta, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve për t’u proceduar tutje në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.
Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti për vitin 2017, i cili kap shifrën prej mbi 2 miliardë eurove, do të jetë një buxhet i zhvillimit ekonomik, dhe është në pajtimin të plotë me kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Sipas tij, Kosova këtë vit, ka shënuar rritje prej 4 për qind, ndërkaq trendet janë që rritja të ngritet vitin vijues.
Gjatë debatit në Komisionin për Buxhet dhe Financa, me 5 vota për dhe 3 kundër, u vendos që Projektligji për Buxhetin të procedohet në Kuvend për leximin e parë.
Buxheti i parashikuar për vitin 2017, javët e fundit ishte çështje diskutimesh, por edhe mospajtimesh mes partive të koalicionit, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.